Shtyhet seanca ndaj Jeton Sylajt, gjykata cakton datën e re
Seanca fillestare gjyqësore ndaj Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, e caktuar të mbahej sot në Gjykatën Themelore në Pejë, nuk është mbajtur.
Lajmi është bërë me dije nga Gjykata Themelore në Pejë, e cila ka njoftuar se seanca ishte caktuar për orën 11:00, në kuadër të çështjes penale për veprën penale “Kanosja”.
Sipas njoftimit të gjykatës, seanca është shtyrë pas kërkesës së avokatit Besnik Berisha, përfaqësues i autorizuar i palës së dëmtuar A.Z., i cili kishte njoftuar gjykatën se nuk kishte mundësi të merrte pjesë në seancë.
“Pas marrjes së mendimeve të palëve të pranishme dhe shqyrtimit të kërkesës së paraqitur, Gjykata aprovoi kërkesën e përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar për shtyrjen e seancës”, është thënë në njoftimin e Gjykatës Themelore në Pejë.
Seanca e radhës ndaj Jeton Sylajt është caktuar të mbahet më 24 nëntor 2026, në orën 13:00.



