Mirë se vjen ambasador, Mikhail Bogachek
Shkruan: Prof. Agim R. ZOGAJ
Përkrahja e ShBA-së, e domosdoshme!
Tani më, pas dy vjetësh, u bë publik lajmi i shumëpritur, i nominimit të ambasadorit të ri të ShBA-së në Kosovë. Shtëpia e Bardhë e ka zgjedhur kandidatin për ambasador të ShBA-së në vendin tonë, pasi, Presidenti Donald Trump e ka nominuar Mikhail Bogachekun për ambasador në Republikën e Kosovës. Emri i Mikhail Bogachek, drejtor ekzekutiv në Organizatën e Shteteve Amerikane ( OAS ), më 10 nëntor i është dërguar Senatit. Bogacheku njihet si profesionist nga Florida me përvojë mbi 25 vjet në sektorin privat, në shëndetësi, teknologji dhe në drejtim institucional. Ndër të tjera, ka doktoruar në bioinxhinieri, flet rusisht, ukrainisht dhe hebraisht. Më 2023 është zgjedhur në bordin drejtues të Koalicionit Republikan Hebraik.
Kosova e ka mirëpritur me optimizëm nominimin e z. Mikhail Bogachek për ambasador në shtetin tonë. Arsyet janë të shumta dhe pragmatike, në radhë të parë në rrafshin diplomatik, bilateral, ekonomik, të sigurisë etj. Kosova, institucionet e shtetit tonë, në vazhdimësi kanë nevojë për intensifikim të marrëdhënieve ndërshtetërore, diplomatike me ShBA-të, aleatin tonë strategjik. Fuqizimi me përmbajtje të reja i marrëdhënieve të Kosovës me ShBA-të, është dimension me rëndësi të veçantë. Kjo, sepse, konsolidimi i institucioneve të shtetit tonë, i demokracisë në të gjitha nivelet dhe institucionet, zhvillimi ekonomik, forcimi i sigurisë, lufta kundër korrupsionit, do të përparohet , gjithnjë e më sigurt përmes bashkëpunimit ndërshtetëror midis Kosovës dhe aleatit tonë, ShBA-së. Ndërkohë, fusha e sigurisë, është një ndër faktorët qenësor për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës, rrugëtimin e përshpejtuar drejt anëtarësimit në NATO dhe në BE. Bashkëpunimi në rrafshin ushtarak midis dy shteteve është me prioritet, për çka, Washingtoni zyrtar vazhdimisht po na jep përkrahje të shumanshme. Rrugëtimi ynë për në NATO , në BE dhe anëtarësimi në Organizatat ndërkombëtare, siç janë fjala vije, anëtarësimi në Interpol, në UNESCO e shumë organizata tjera ndërkombëtare nuk është i mundur pa përkrahjen e aleatit tonë, ShBA-së. Kjo, vlen edhe për njohjet e reja për shtetin tonë.
Kosova dhe Shqipëria, në gjeopolitikën amerikane
Realisht dhe de fakto, konsolidimi dhe faktorzimi i Republikës së Kosovës në nivelet, proceset, integrimet ndërkombëtare drejtpërdrejt ndërlidhet me përkrahjen e vazhdueshme të cilën shteti ynë do ta ketë nga ShBA-të. Por, në diplomaci, sado që, një shtet thirret në aleancën me një shtet mik, edhe në rastin e forcimit, përparimit të marrëdhënieve të Kosovës me ShBA-të, përkrahjen duhet ta meritojmë! Kjo vlen edhe për Shqipërinë. Aq më parë, të dy shtetet shqiptare, duhet të jemi të vëmendshëm, maksimalisht bashkëpunues, me aleatin tonë, ShBA-të, sepse, gjithmonë duhet ta kemi parasysh që, jemi zonë e gjeopolitikës amerikane. Ky fakt, në gjeopolitikat e sotme, disa prej të cilave janë përfshirë edhe në luftëra, mjaftueshëm dhe domosdoshmërisht duhet t’i ndërgjegjësojë elitat politike, shtetërore, akademike në Kosovë dhe në Shqipëri, që, maksimalisht të jemi bashkëpunues me administratën Trump, qeverinë amerikane.
Kosova, ndërsa, vazhdon të jetë në vorbullin e marrëdhënieve, vazhdimisht të tensionuara me Serbinë, si rezultat i politikave hegjemoniste, të Serbisë. Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar, pa rezultat, nga BE-ja, është një sfidë permanente për shtetin tonë. Dialogu nuk mund të ketë përparim pa një rol më aktiv të ShBA-së, madje, Kosova duhet të kërkojë, të insistojë që, në të ardhmen, dialogu, negociatat midis Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësohen nën drejtimin, mandatin e ShBA-së. Shteti ynë ndërsa, veçmas pas emërimit të z. Mikhail Bogachek duhet të kërkojë rifillimin e Dialogut Strategjik me ShBA-të, sepse, në radhë të parë, procesi i Dialogut Strategjik është në interes të Kosovës. Në këtë pikëvështrim, kërkesa e Kryeministrit Kurti, drejtuar Washingtonit zyrtar që, Kampi i Bondsteelit të shndërrohet në Kamp të përhershëm të ushtrisë amerikane, është projekt me prioritet shtetëror. Kosova nuk mund ta dijë se me çfarë plani diplomatik do të vije ambasadori i ri amerikan në Kosovë. Por, Kosova duhet ta dijë se me çfarë projekti diplomatik, me çfarë kërkesa, oferta do ta pres ambasadorin e ri amerikan.
In any event, Ambassador Mikhail Bogachek, welcome to Kosova!



