Pochettino ia hap derën Guardiolës
Pep Guardiola mund të rikthehet në futbollin ndërkombëtar, kësaj radhe si përzgjedhës i kombëtares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Federata amerikane po e shqyrton seriozisht emrin e trajnerit katalanas, në rast se Mauricio Pochettino largohet për të marrë drejtimin e Manchester Unitedit.
Sipas gazetarit Tom Bogert, i cili mbulon futbollin amerikan dhe MLS-në, Guardiola është objektivi kryesor i federatës.
Megjithatë, drejtuesit amerikanë janë të vetëdijshëm se bindja e tij nuk do të jetë e lehtë dhe hapi i parë do të ishte një kontakt i drejtpërdrejtë me trajnerin.
Guardiola është pa klub që nga maji, kur përfundoi aventurën dhjetëvjeçare te Manchester City.
Në të kaluarën, ai kishte refuzuar edhe mundësinë për të drejtuar Italinë, pasi dëshironte të pushonte, ndërsa pas Botërorit 2022 ishte kontaktuar edhe nga Brazili.
Edhe Anglia kishte tentuar ta angazhonte pas Evropianit të vitit 2024, por Guardiola kishte vendosur të vazhdonte me Cityn.
Tashmë mbetet të shihet nëse do ta pranojë sfidën për ta udhëhequr ShBA-në në skenën ndërkombëtare apo do të vazhdojë periudhën e pushimit.



