Liburn Aliu: Jam krenar që pata mundësinë t’i shërbej kombit shqiptar përmes Portit të Durrësit
Ish-drejtori i Portit të Durrësit, Liburn Aliu, ka përmbyllur mandatin e tij njëvjeçar në krye të Autoritetit Portual Durrës, duke e cilësuar këtë përvojë si një privilegj dhe një mundësi të veçantë për t’i shërbyer kombit shqiptar. Përmes një mesazhi përmbyllës, Aliu ka vënë në pah rritjen e aktivitetit portual, investimet në pajisje dhe kapacitete të reja, si dhe rezultatet e arritura gjatë vitit 2026.
Aliu ka bërë të ditur se viti 2026 është karakterizuar nga rritje të konsiderueshme të aktivitetit në Portin e Durrësit, veçanërisht në terminalin e kontejnerëve.
Vetëm gjatë dhjetë muajve të parë të vitit janë përpunuar 218,255 TEU, që përfaqëson një rritje prej 15 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.
Një tregues veçanërisht domethënës, sipas tij, është rritja prej 70 për qind e volumit të kontejnerëve të ngarkuar me mallra për eksport, krahasuar me dhjetëmujorin e parë të vitit 2025.
Për t’iu përgjigjur kësaj rritjeje dhe për të përballuar presionin mbi kapacitetet ekzistuese, gjatë këtij viti janë ndërmarrë një sërë masash, përfshirë dyfishimin e numrit të vinçave funksionalë, kontraktimin e pajisjeve të reja për përpunimin e kontejnerëve dhe avancimin e projektit për riorganizimin e sheshit të terminalit, me synim dyfishimin e hapësirës për vendosjen e kontejnerëve.
Sipas Aliut, këto përgatitje krijojnë kushte që Porti i Durrësit ta nisë vitin 2027 me kapacitete dhe mundësi më të mëdha për të përballuar rritjen e mëtejshme të aktivitetit.
Ish-drejtori ka vlerësuar gjithashtu kontributin e punonjësve të Autoritetit Portual Durrës, bashkëpunimin me institucionet shtetërore që veprojnë brenda portit, si dhe mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Këshillit Drejtues të Autoritetit Portual dhe Bashkisë së Durrësit.
Duke përmbyllur mesazhin e tij, Aliu ka shprehur mirënjohjen për të gjithë bashkëpunëtorët dhe punonjësit e portit, me të cilët ka ndarë përgjegjësinë dhe angazhimin gjatë këtij njëvjeçari.
“Jam i nderuar që pata mundësinë t’i shërbej kombit shqiptar përmes këtij porti, që është i Durrësit, por jo vetëm i Durrësit; që ndodhet në Republikën e Shqipërisë, por nuk është vetëm i Republikës së Shqipërisë.
Është port i gjithë Shqipërisë”, ka përfunduar Aliu.



