Ymeri ngre shqetësime për 777 punësimet në KEK gjatë vitit 2025: Punëtorët e rinj nuk po punojnë në prodhim
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka kritikuar menaxhimin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), duke pretenduar se gjatë vitit 2025 në këtë ndërmarrje janë punësuar 777 punëtorë të rinj.
Përmes një reagimi publik, Ymeri ka vënë në pikëpyetje mënyrën e realizimit të këtyre punësimeve, duke i cilësuar ato si një lloj “llotarie” politike. Sipas saj, këto punësime kanë ndikuar edhe në rezultatet zgjedhore në Obiliq dhe Fushë Kosovë.
Ajo ka bërë të ditur se ka pranuar ankesa nga punëtorët e vjetër të KEK-ut, të cilët, sipas saj, kanë shprehur shqetësime për mungesën e punëtorëve aktivë në sektorin e prodhimit, pavarësisht rekrutimeve të reja.
“Nuk kemi punëtorë në prodhim, sepse punëtorët e pranuar nga Vetëvendosja nuk punojnë, janë bossa”, ka cituar Ymeri një ankesë që thotë se e ka marrë nga punëtorët e ndërmarrjes.
Deputetja ka ngritur gjithashtu shqetësime për vdekjen e katër personave në KEK gjatë këtij viti, si dhe për grevat e organizuara nga punëtorët. Ajo ka kritikuar atë që e konsideron mungesë të interesimit të Lëvizjes Vetëvendosje për gjendjen në këtë ndërmarrje.
Në reagimin e saj, Ymeri ka kritikuar edhe atë që e cilëson si shfrytëzim të punës së punëtorëve dhe të taksave të qytetarëve, duke bërë njëkohësisht edhe një aludim për pushime në Paris.
“Nuk është kjo shembje e shtetit dhe pirje e djersës së punëtorit?!”, ka përfunduar Ymeri reagimin e saj.



