Concentrix zgjeron investimet në Kosovë, mbi 1,500 të punësuar në gjashtë qytete
Kompania ndërkombëtare Concentrix po zgjeron investimet dhe aktivitetin e saj në Kosovë, duke krijuar mundësi të reja punësimi dhe duke kontribuar në eksportin e shërbimeve.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka bërë të ditur se kompania po vazhdon investimet në vend, pas një takimi me CEO-n për Ballkanin, Austrinë dhe Hungarinë, Oliver Derler.
Rafuna ka theksuar se Concentrix operon në Kosovë prej më shumë se 11 vjetësh dhe aktualisht punëson mbi 1,500 persona në gjashtë qytete të vendit.
Ai ka vlerësuar se kontributi i kësaj kompanie është i rëndësishëm për eksportin e shërbimeve dhe për ekonominë e Kosovës.
Sipas Rafunës, ndonëse Kosova përballet me deficit tregtar në mallra, në sektorin e shërbimeve ka bilanc pozitiv, pasi eksportet janë më të larta se importet.
Ai ka theksuar se investimet e kompanive ndërkombëtare, zgjerimi i aktivitetit të tyre dhe punësimi i të rinjve dëshmojnë potencialin ekonomik që ofron Kosova.



