Rritet numri i udhëtarëve në transportin ajror, bie ai në hekurudha

13 nëntor 2026 | 13:14

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar statistikat e transportit dhe telekomunikimit për muajin shtator 2026, të cilat paraqesin të dhëna për transportin ajror, hekurudhor dhe telefoninë fikse.

Sipas të dhënave të ASK-së, gjatë shtatorit të këtij viti janë realizuar 2 548 fluturime, apo 6,5 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Ndërkaq, numri i udhëtarëve në transportin ajror arriti në 393 360, duke shënuar rritje prej 4,9 për qind në krahasim me shtatorin e vitit të kaluar.

Në anën tjetër, transporti hekurudhor ka shënuar rënie të numrit të udhëtarëve. Gjatë muajit shtator janë regjistruar 7 167 udhëtarë, ose 12,8 për qind më pak se në periudhën e njëjtë të vitit 2025. Po ashtu, gjatë këtij muaji nuk është transportuar asnjë sasi mallrash përmes hekurudhave.

Sa i përket telefonisë fikse, numri i përdoruesve në shtator ishte 72 905, me rritje prej 7,1 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Megjithatë, trafiku i realizuar në minuta arriti në 1 722 676, duke shënuar rënie prej 12,2 për qind.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Fatjona Kasapi ka shënuar fitore të rëndësishme në Grand Prix…