KTHIMI I LIGJIT NUK ËSHTË ZGJIDHJE
Shkruan: Gjeneral Hisen Berisha
KOSOVËS I DUHET ZHBËRJA E DHOMAVE TË SPECIALIZUARA, JO RIKTHIMI I ILUZIONEVE POLITIKE
Mbrojtja e krerëve të UÇK-së nuk është vetëm çështje juridike individuale. Është çështje e së vërtetës historike, dinjitetit të luftës çlirimtare dhe interesit kombëtar e shtetëror të Republikës së Kosovës.
Debatet e fundit politike për kthimin e ligjit që lidhet me Dhomat e Specializuara të Kosovës po paraqiten si një mundësi e re për zgjidhjen e çështjes së Hagës. Por, në thelb, kemi të bëjmë me vazhdimin e së njëjtës lojë politike me shpresat e qytetarëve, ku secili përpiqet ta largojë përgjegjësinë nga vetja dhe një mekanizëm të konsumuar, të koroduar e pa fuqi reale për ta zgjidhur problemin themelor ta paraqesë si arritje politike.
Kthimi i ligjit nuk është fitore. As ndryshimi i disa dispozitave nuk është zgjidhje për një problem që buron nga vetë ekzistenca, mandati dhe baza juridike e këtij mekanizmi.
Për çfarë drejtësie po flasim, kur ky ligj nuk ua hap dyert e burgut krerëve të UÇK-së dhe nuk e rrëzon konceptin që e trajton luftën tonë çlirimtare përmes tezës së “Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale”?
Në vend të një zgjidhjeje reale, qytetarëve po u ofrohet një shpresë e rreme, e paketuar si fitore politike, ndërkohë që problemi themelor mbetet i pazgjidhur.
Pikërisht këtu qëndron dallimi ndërmjet një qëndrimi politik që synon ta menaxhojë përkohësisht pakënaqësinë qytetare dhe një qëndrimi që kërkon zgjidhje përfundimtare institucionale.
Qëndrimi im politik ka qenë dhe mbetet i qartë: nuk mjafton të kërkojmë ndryshimin e një aktgjykimi, uljen e dënimeve apo përmirësimin e disa dispozitave ligjore. Këto janë çështje që u takojnë procedurave konkrete juridike dhe ekipeve mbrojtëse. Nuk duhet të kërkojmë ndryshim të fasadës, por zhbërjen e mekanizmit.
Unë kërkoj hapjen e procesit institucional, kushtetues dhe politik për zhbërjen e Dhomave të Specializuara, përmes abrogimit të bazës së tyre ligjore, defunksionalizimit të mekanizmit dhe derogimit nga detyrimet ndërkombëtare që lidhen me funksionimin e tij, duke trajtuar këtë proces përmes procedurave dhe kompetencave përkatëse juridike e ndërkombëtare.
Nuk po flas për ndërhyrje në një proces gjyqësor konkret dhe as për dhënien e imunitetit penal dikujt. Po flas për të drejtën dhe përgjegjësinë e një shteti sovran për të shqyrtuar legjitimitetin, proporcionalitetin dhe të ardhmen e një mekanizmi të krijuar në emër të tij.
Duhet të bëjmë dallimin ndërmjet tri çështjeve:
-Mbrojtjes juridike të krerëve të UÇK-së në proceset gjyqësore.
-Përgjegjësisë së institucioneve të Kosovës për mbrojtjen e interesit historik dhe shtetëror.
-Të drejtës së shtetit për të zhvilluar procedura kushtetuese e ligjore lidhur me ekzistencën dhe të ardhmen e Dhomave të Specializuara.
Këto çështje nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën.
Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, por asnjë institucion nuk mund të jetë mbi kritikën, kontrollin dhe parimet kushtetuese.
Marshi i 12 shtatorit, me mesazhin “Jo në emrin tim”, ishte një demonstrim i fuqishëm qytetar në mbrojtje të dinjitetit të luftës çlirimtare dhe kundër mënyrës se si po trajtohet historia jonë.
Përmasat e mobilizimit qytetar nuk mund të anashkalohen me arsyetime partiake. Ai ishte një mesazh politik që institucionet duhet ta marrin seriozisht.
Në të njëjtin drejtim duhet të lexohet edhe anketimi i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), i cili, sipas rezultateve të prezantuara, përfshiu 1,139 respondentë në të gjitha 38 komunat e Kosovës.
Rezultatet e raportuara janë domethënëse: 72.1% kanë shprehur qëndrim negativ ndaj Dhomave të Specializuara; 83.5% e konsiderojnë aktgjykimin të padrejtë.ë; 74% mbështesin shfuqizimin e Dhomave të Specializuara; 78% mbështesin protestat pas aktgjykimit; 80.2% e shqiptarëve të Kosovës mbështesin shfuqizimin.ë; 87.7% e shqiptarëve të Kosovës e konsiderojnë aktgjykimin të padrejtë.
Anketa nuk është referendum juridik dhe nuk e përcakton fajësinë apo pafajësinë e askujt. Por është tregues i rëndësishëm i perceptimit qytetar dhe i krizës së besimit ndaj këtij mekanizmi.
Pyetja që duhet t’u shtrohet institucioneve është e thjeshtë, si është e mundur që një mekanizëm i krijuar në emër të drejtësisë të ketë prodhuar një nivel kaq të lartë mosbesimi në shoqërinë ku ushtron juridiksionin e vet?
Nuk mjafton që politikanët të dalin para kamerave, të shprehin keqardhje dhe pastaj të presin që qytetarët ta harrojnë çështjen.
Institucionet duhet të japin përgjigje.
Çështja e Hagës nuk mund të shkëputet nga konteksti historik i luftës në Kosovë. Lufta çlirimtare nuk mund të barazohet me agresionin e Serbisë.
Populli shqiptar nuk ishte në luftë me një shtet demokratik që respektonte të drejtat e njeriut. Kosova ishte nën okupimin dhe dhunën e aparatit shtetëror të Serbisë së Millosheviqit, me një histori të dokumentuar të represionit gjenocidial, dëbimeve masive dhe krimeve kundër popullsisë civile.
UÇK-ja u formua në rrethana të një represioni të tillë, si organizim i rezistencës dhe i luftës për çlirim.
Kjo nuk do të thotë se historia e luftës e përjashton përgjegjësinë individuale për vepra konkrete penale, nëse ato provohen. Por asnjë përgjegjësi individuale nuk mund të shndërrohet në faj kolektiv dhe as të përdoret për të relativizuar karakterin çlirimtar të luftës së popullit të Kosovës.
Prandaj, përdorimi i konceptit të “Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale” në raport me udhëheqjen e UÇK-së ka një dimension që prek edhe interpretimin historik të luftës dhe mënyrën se si paraqitet ajo para opinionit ndërkombëtar.
Këtu qëndron edhe përgjegjësia jonë për të mos lejuar që narrativa e Serbisë të mbetet e vetmja që dëgjohet ndërkombëtarisht.
Nuk mund të pranojmë ekuivalencën historike ndërmjet një populli që luftoi për liri dhe një aparati shtetëror që ushtroi dhunë e represion për ta mbajtur atë nën sundim.
Mbrojtja e krerëve të UÇK-së nuk mund të mbetet vetëm në duart e avokatëve. Ata kanë përgjegjësinë e tyre profesionale në proceset gjyqësore, por Republika e Kosovës ka përgjegjësi të veçantë institucionale, historike dhe politike. Prandaj, përgjegjësia nuk mund t’u lihet vetëm avokatëve.
Kuvendi duhet të organizojë debat të mirëfilltë kushtetues, ligjor dhe institucional për të ardhmen e Dhomave të Specializuara.
Qeveria duhet të paraqesë qëndrimin e saj, dokumentacionin dhe veprimet konkrete.
Institucionet përkatëse duhet të sigurojnë mbështetjen juridike, financiare dhe dokumentare për mbrojtjen.
Por mbi të gjitha, duhet të hapet debati për abrogimin e bazës ligjore dhe për rrugën e derogimit nga detyrimet ndërkombëtare që e mbajnë në funksion këtë mekanizëm.
Nuk mund të vazhdojmë të sillemi sikur e vetmja alternativë është të presim vendimet e radhës në Hagë.
Shteti i Kosovës nuk mund të jetë spektator i historisë së vet.
Një dimension tjetër që nuk duhet anashkaluar është politika e vazhdueshme e Serbisë ndaj Kosovës.
Ndryshimi i përbërjes politike apo i emrave në pushtetin serb nuk nënkupton automatikisht ndryshim të strategjisë shtetërore ndaj Kosovës.
Tani, Serbia duhet të vlerësohet nga veprimet konkrete, si, nga respektimi i marrëveshjeve, njohja e realitetit shtetëror të Kosovës, ndërprerja e mbështetjes për strukturat ilegale dhe paralele, si dhe heqja dorë nga fushata kundër subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Ndikimi i saj duhet të analizohet në dimensionin politik, diplomatik, institucional, edhe financiar për fonde të mëdha financiare të destinuara për lobim dhe ndikim kundër interesave të Kosovës, dhe të sigurisë.
Kosovës i duhet inteligjencë funksionale, diplomaci aktive dhe koordinim institucional për të identifikuar çdo përpjekje që cenon sovranitetin, integritetin territorial dhe subjektivitetin e saj ndërkombëtar.
Në ketë kontekst, marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët evropianë mbeten jetike. Por partneriteti me aleatët nuk do të thotë heqje dorë nga përgjegjësia për mbrojtjen e interesit shtetëror.
Diplomacia nuk është heshtje. Është aftësi për ta mbrojtur interesin e shtetit, duke ruajtur partneritetet.
Kur institucionet nuk dëgjojnë qytetarët, protesta paqësore është një e drejtë demokratike dhe kushtetuese. Parimisht po, protesta qytetare është e drejtë, por përgjegjësia politike duhet të ketë adresë. Pra, mobilizimi qytetar duhet të ketë kërkesa të qarta, objektiva konkrete dhe adresim politik e institucional.
Revolta duhet të drejtohet ndaj përgjegjësve politikë dhe vendimmarrësve, jo ndaj institucioneve të shtetit, policisë, pronës publike apo qytetarëve.
Institucionet janë të Republikës së Kosovës dhe duhet të mbrohen. Përgjegjësia për vendimet politike, ndërkaq, duhet të kërkohet nga ata që i marrin ato.
Nëse institucionet vazhdojnë ta injorojnë vullnetin e shprehur qytetar, atëherë mobilizimi qytetar dhe mosbindja civile paqësore marrin rëndësi edhe më të madhe si forma demokratike të kërkimit të përgjegjësisë.
Nuk mund të kërkojmë mbrojtjen e shtetit duke dëmtuar institucionet e tij. Duhet të kërkojmë ndryshim të vendimmarrjes dhe përgjegjësi nga përfaqësuesit që e ushtrojnë pushtetin në emër të qytetarëve.
Në fund, çështja nuk është vetëm se sa do të dënohen ish-krerët e UÇK-së. Çështja është edhe se si do të trajtohet e vërteta historike e luftës çlirimtare dhe çfarë përgjegjësie merr shteti përballë një mekanizmi që ka krijuar një krizë kaq të thellë besimi në shoqërinë tonë.
Kthimi i ligjit, ndryshimi i disa dispozitave dhe deklaratat për mbrojtjen e UÇK-së nuk mund të paraqiten si zgjidhje përfundimtare.
Nuk na duhet një tjetër cikël i premtimeve politike, ku secili përpiqet të marrë meritat për një iniciativë dhe t’ua lërë të tjerëve përgjegjësinë për dështimin e saj.
Na duhet një debat i hapur në Kuvend, një proces kushtetues e ligjor dhe një strategji shtetërore që e trajton seriozisht zhbërjen e Dhomave të Specializuara, përmes abrogimit të bazës së tyre ligjore, defunksionalizimit të mekanizmit dhe derogimit nga detyrimet ndërkombëtare përkatëse.
Kjo është kërkesa ime politike dhe nuk e zëvendësoj me zgjidhje të përkohshme që nuk e prekin thelbin e problemit.
Pra, Kosova duhet të zgjedhë ndërmjet menaxhimit të problemit apo tejzgjatjes së tij “hiç e mos këput” dhe zgjidhjes së tij përfundimtare me zhbërjen e këtij mekanizmi.
Nuk po kërkojmë imunitet për askënd. Nuk kërkojmë drejtësi selektive. Kërkojmë drejtësi të të bazuar në parimin e ligjshmërisë, të paanshme dhe të bazuar në prova, por edhe të drejtën e Kosovës për të mbrojtur historinë, dinjitetin dhe interesin e saj shtetëror.
Kosova nuk duhet të zgjedhë ndërmjet drejtësisë, së vërtetës historike dhe shtetësisë. Duhet t’i mbrojë të tria.
Dhe këtë nuk mund ta bëjë duke u fshehur pas kthimit të një ligji, duke pritur një vendim tjetër apo duke ua deleguar përgjegjësinë avokatëve.
Shteti duhet të marrë përgjegjësinë e vet. Sepse lufta për liri nuk ishte pronë e një partie, e një qeverie apo e një individi. Ishte sakrifica e një populli dhe themeli historik mbi të cilin u ndërtua Republika e Kosovës – shtet i pavarur e demokratik.



