TAHIR HANI – DY VJET PA TY, POR IDEALI YT MBETET AMANET

Shkruan: Halit Krasniqi
Në përvjetorin e dytë të ndarjes nga jeta të bashkëveprimtarit, bashkëvuajtësit dhe mikut tim të çmuar, Tahir Hani, do të shpalos një pjesë të bashkëpunimit tonë dhe të përkushtimit të këtij personaliteti të veçantë, që zë një vend të nderuar në galerinë e personaliteteve të çmuara të kombit tonë.
Tahir Hanin e kisha njohur fillimisht nga larg, që nga 4 nëntori i vitit 1985, kur regjimi jugosllav e arrestoi për veprimtarinë e tij atdhetare me një akronim simbolik të kohës në kuadër të Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK) dhe organizimeve të tjera kombëtare. E njihja përmes qëndresës së tij dhe dënimit drakonik prej 14 vjetësh burg të rëndë, në moshë të re, që iu shqiptua në vitin 1986, për idealin e bashkimit të trojeve shqiptare.
Nga afër e njoha në vitin 1988, në burgun famëkeq të Stara Gradishkës, ku, pas mbylljes së Goli Otokut, vuaja dënimin tim të tretë, së bashku me simbolin e rezistencës shqiptare dhe Nderin e Kombit, bacën Adem Demaçi, si dhe një plejadë të ndritur veprimtarësh kombëtarë. Kampi i Stara Gradishkës ishte shndërruar në një Universitet të stoicizmit.
Që nga ajo kohë e deri në ditët e fundit të jetës së tij, kur sëmundja e rëndë ia ndërpreu jetën, kemi bashkëpunuar në role dhe rrethana të ndryshme, por gjithmonë të bashkuar nga një ideal i vetëm: çlirimi i trojeve shqiptare dhe realizimi i bashkimit kombëtar.
Pas amnistimit tonë, në qershor të vitit 1990, bashkëpunimi ynë vazhdoi në veprimtarinë ilegale. Në ato rrethana të vështira, sa herë që rrezikoheshim në rrethet tona të organizuara dhe na imponohej kalimi ilegal i kufirit për qëllime të ndryshme, zbrisnim në Veleshtë, te Tahiri. Ai na përgatiste kalimin drejt Shqipërisë, ndërsa në raste të tjera na priste e na përcillte nëpër Maqedoni, në rrugën tonë drejt Kosovës.
Një nga shumë kujtimet më të veçanta që ruaj është vera e vitit 1993, kur burgosjet masive të veprimtarëve të LPK-së detyruan një pjesë të organizatës të kalonte në ilegalitet. Ata që arritëm t’i shpëtonim arrestimit, përmes rrugëve të ndryshme, u detyruam të kalonim në Shqipëri.
Në bashkëpunim me shokë të tjerë, kalova në Maqedoni dhe zbritëm në Veleshtë, te Tahir Hani, i cili në atë kohë ishte kryetar i komunës. Tahiri e përgatiti terrenin dhe, pas disa ditësh, një natë, nën përcjelljen e armatosur dhe me siguri të plotë, më shoqëruan përmes malit, nëpër Qafë Thanë, drejt Shqipërisë.
Pasi u vendosa në Tiranë, bashkëpunimi ynë nuk u ndërpre. Përkundrazi, nga ajo kohë e deri në fillimin e luftës sonë çlirimtare, Tahir Hani, së bashku me shokë të tjerë, frekuentonte Tiranën për të koordinuar dhe përgatitur veprimtarinë që do të çonte drejt luftës çlirimtare.
Edhe pasi u pajisa me dokumente shqiptare legale, të lëshuara nga institucionet e Shqipërisë, por me identitet tjetër, për arsye sigurie, udhëtoja drejt Veleshtës. Aty ndalesha te Tahiri, ku zhvillonim takime e koordinime me shokë të tjerë, nga Veleshta e deri në Kumanovë.
Këto nuk ishin thjesht takime mes miqsh. Ishin pjesë e një veprimtarie të pandërprerë kombëtare, e një përpjekjeje që kërkonte sakrificë, besim të ndërsjellë, maturi dhe vendosmëri të jashtëzakonshme.
Pas çlirimit të Kosovës dhe përfundimit të luftës në Maqedoni, me avancimin e subjektivitetit politik të shqiptarëve, Tahir Hani, për kontributin dhe rolin e tij si mentor në projktime dhe koordinator në lufrat çlirimtare në UÇK, në UÇPMB dhe në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare, u angazhua në institucionet shtetërore, duke mbajtur pozita të rëndësishme politike dhe institucionale.
Nga deputet në Kuvendin e Maqedonisë dhe kryetar i Grupit Parlamentar të BDI-së, te zëvendësministri, ministri e deri te zv/sekretari i Kuvendit të Maqedonisë, bashkëpunimi dhe koordinimi ynë vazhduan. Edhe pse rrethanat kishin ndryshuar, qëllimi ynë mbeti i njëjtë: avancimi i pozitës së shqiptarëve dhe realizimi i idealit të bashkimit kombëtar.
Edhe gjatë trajtimit të sëmundjes së rëndë, kemi komunikuar e jemi takuar, duke koordinuar veprimtaritë dhe duke përgatitur procesin politik drejt avancimit të pozitave tona etnike.
As sëmundja, as vuajtjet, as ndryshimet e rrethanave politike nuk e ndalën Tahir Hanin së menduari e së vepruari për idealin e bashkimit kombëtar.
Ai ishte i afërt me bacën Adem Demaçi, si dhe me heronjtë Fehmi Lladrovci, Remzi Ademaj, Hafir Shala e Xhavit Haziri, me vëllezërit dëshmorë Gursel e Bajram Sylejmanaj. Ndërsa me heronjtë Bekim Berishën – Abejën, Xhelal Hajdën – Tonin, Abdullah Tahirin dhe Muhamet Malsorin i kisha njohur në Tiranë.
Krahas tyre, ai kishte njohur personalisht, gjatë veprimtarisë së tij atdhetare, edhe një numër të madh luftëtarësh, dëshmorësh e heronjsh të kombit.
Kjo afërsi nuk përfaqësonte vetëm miqësi dhe bashkëpunim, por një lidhje të thellë njerëzore e atdhetare, të ndërtuar mbi sakrificën, besnikërinë dhe idealin e përbashkët.
Sot, në përvjetorin e dytë të ndarjes së tij nga jeta, kujtimi për Tahir Hanin mbetet i gjallë, i begatshëm dhe i pashlyeshëm. Po aq i thellë është edhe respekti për familjen e tij, nga Veleshta deri në Suedi, e cila e mbështeti vazhdimisht në të gjitha rolet dhe angazhimet e tij atdhetare.
Vdekja na e rrëmbeu Tahirin, por nuk mund ta marrë me vete idealin për të cilin jetoi, veproi dhe sakrifikoi. Ai na e la amanet bashkimin kombëtar, si një detyrim historik e kombëtar, të cilin duhet ta realizojmë me përkushtim, në kohën dhe përmes mundësive që na i ofron perspektiva historike.
Tahir Hani nuk ishte vetëm një veprimtar i palodhur i LPK-së, një ish-i burgosur politik apo një personalitet i rëndësishëm institucional. Ai ishte një atdhetar që e jetoi idealin e tij deri në frymën e fundit.
Në librin monografik, që do të promovohet në një nga përvjetorët e ardhshëm, do të përmblidhen kujtimet dhe përshkrimet e plota të të gjithë bashkëveprimtarëve të tij, për të ndriçuar më gjerësisht jetën, veprimtarinë dhe kontributin e këtij personaliteti të shquar kombëtar.
I përjetshëm qoftë kujtimi për Tahir Hanin!
Lavdi jetës, veprës dhe qëndresës së tij!
Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe heronjve të kombit!
Bashkimi kombëtar mbetet amaneti ynë i përbashkët.



