Pacientët me kancer mbesin pa terapi, deputeti i VV-së Meholli tallet me kritikët: “Dilni në bufe të qetësoheni, s’i përballoni sukseset e Qeverisë”
Në qoftë se naj kolegë nuk mundet me i përballu sukseset e Qeverisë, unë ia bëjë më të lehtë me dalë në bufe me u qetësu dhe me u kthy këtu prapë”, kështu deklaroi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sylejman Meholli, në Kuvendin e Kosovës, derisa po diskutohej për gjendjen në shëndetësi.
Deklarata e Mehollit erdhi në një seancë ku ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ishte thirrur në interpelancë pas vdekjes së një pacienteje me kancer të gjirit, e cila kishte mbetur katër muaj pa terapinë e nevojshme.
Në vend se të merrej me shqetësimet e ngritura për mungesën e barnave onkologjike dhe gjendjen e pacientëve, deputeti i pushtetit zgjodhi të flasë për “sukseset e Qeverisë”, duke ironizuar kolegët që kritikonin ekzekutivin.
Nuk mungoi as ndërhyrja e kryeparlamentares Albulena Haxhiu, e cila e këshilloi deputetin nga partia e saj që të mos merrej me fjalët anësore.
“Deputet, mos u merr me fjalët rreth e rrotull”, i tha Haxhiu.
Ndërkohë, gjatë interpelancës, deputetja e PDK-së, Sala Jashari, ngriti shqetësimin për mungesën e vazhdueshme të barnave onkologjike, duke theksuar se Avastini, medikament që përdoret në terapinë kundër kancerit, mungon që nga 14 gushti.
Ministri Vitia, duke iu përgjigjur pyetjeve të Jasharit, deklaroi se mungesa e barit palbociclib në Klinikën e Onkologjisë gjatë vitit 2026 ishte shkaktuar nga dyfishimi i kërkesave për këtë medikament, ndërsa tenderi i parë për furnizim kishte dështuar për shkak të mungesës së ofertuesve.
Sipas tij, palbociclib ishte përfshirë për herë të parë në Listën e Barnave Esenciale në vitin 2025, ndërsa planifikimi fillestar ishte bërë për 40 pacientë. Megjithatë, kërkesa ishte rritur, pasi edhe pacientët që më parë e siguronin privatisht këtë medikament kishin filluar ta kërkonin atë në Klinikën e Onkologjisë.
Vitia bëri të ditur se kontrata e parë për këtë bar ishte lidhur më 17 korrik, ndërsa furnizimi i parë kishte arritur në barnatoren qendrore në Çekukë në mesin e gushtit 2025.
Kështu, në një seancë ku po diskutohej për mungesën e terapive për pacientët me kancer dhe përgjegjësinë institucionale pas vdekjes së një pacienteje që kishte mbetur pa trajtim, deputeti i VV-së zgjodhi t’i përgjigjej kritikave me ironi për “sukseset e Qeverisë”.



