Zemaj akuzon përfituesit e tenderëve farmaceutikë, Vitia i quan shpifje

13 nëntor 2026 | 14:05

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka akuzuar Qeverinë për keqpërdorime në sektorin farmaceutik, duke pretenduar se dy kompani farmaceutike kanë përfituar mbi 150 milionë euro nga tenderët për barna. Ai ka ngritur dyshime edhe për ndikim në hartimin e Listës së Barnave Esenciale, raporton “Ekonomia Online”.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i ka hedhur poshtë akuzat e Zemajt, duke i cilësuar ato si shpifje dhe duke thënë se deputeti nuk ka paraqitur fakte për pretendimet e tij. Vitia ka paralajmëruar se çështjen do ta dërgojë në Prokurori.

Gjatë interpelancës në Kuvend për mungesën e barnave onkologjike dhe vdekjen e pacientes me kancer të gjirit, e cila kishte mbetur katër muaj pa terapi, Zemaj ka thënë se rritja e buxhetit për shëndetësi është shoqëruar me rritje të çmimeve të barnave dhe përfitimeve të kompanive farmaceutike.

“Prioriteti është, po, rritja e buxhetit. Po rritja e hajnisë. Pse? Sepse e kemi thënë, e është e pandershme nëse nuk e përsërisim edhe këtu. 300% buxhet më shumë. 300% çmime më të larta te barnave kundër kancerit. 300% fitimi më i madh i 2 kompanive farmaceutike. A e dini sa më shumë se 150 milionë të totalit të këtij buxheti i kanë marrë tender veç 2 kompani farmaceutike?”, ka thënë ai.

Zemaj ka ngritur edhe pretendime për lidhje të personave me kompani farmaceutike dhe për përfshirje në hartimin e Listës së Barnave Esenciale, duke kërkuar që organet e drejtësisë të merren me këto çështje.

“Njëra që ish-bashkëpunëtori i këtij që është ulur, edhe disa këtu që e kanë marrë 10% në atë kompani, dhe tjetra, po ashtu financues direkt i partisë politike në pushtet. Këto janë publike. Asgjë s’është e fshehur. Edhe si? Si shpërblim? Kryeministri Albin Kurti shkon e viziton familjen e Meditekit. 10%, Arianit Jakupi, bashkëpunëtori i këtyre, i cili gjoja ia ka falë ajo kompani 10%, merr pjesë në hartimin e listës esenciale për barna. Edhe fut barna që blejnë nga ato kompani. A e di ça është kjo? Kjo është krim. Kjo është hajni. Këto i ka prokuroria. Po cila prokurori i ka? Cili, cili polic i ka? Kush i mbulon këto? Edhe këtu po ju drejtohem: mos i mbuloni këto hajni, se jeni tu e vjedh jetën e qytetarëve”, ka thënë ai.

Në përgjigjen e tij, ministri Vitia ka thënë se Zemaj vazhdimisht po përmend keqpërdorime dhe vjedhje, por, sipas tij, nuk ka paraqitur fakte për këto pretendime. Ai gjithashtu ka pretenduar se akuzat lidhen me konkurrencën mes kompanive farmaceutike.

“Ju e përmendët prapë keqpërdorime e vjedhje, jeni ka e thoni vazhdimisht këtë, përbesë kurrë as edhe një gjysmë fakti nuk e keni paraqitur, o ish-ministër. Listat e pritjes thoni janë rritur, por janë rritur shërbimet, përbesë… E di pse e bëni këtë, është lufta farmaceutike, sepse ju e keni një mik në LDK që ka një kompani tjetër farmaceutike, që po mundohen dhe janë në luftë për t’i marrë këto barna, thuajeni troç ku është problemi”, ka thënë ai.

Vitia po ashtu ka mohuar se Arianit Jakupi kishte qenë i punësuar në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë kohës sa ai ishte ministër, duke thënë se ai nuk kishte pasur rol në komitetin përgjegjës për listën e barnave.

“E dini bre që nuk ka qenë komiteti kyç për listën e barnave speciale. Zoti Arianit Jakupi, kur kam qenë unë ministër. Ka qenë më herët. Pse po ma jepni këtë, kur e dinë që nuk është e imja? Po s’ka qenë, nuk ka qenë as bartësi imi. Kurrë nuk ka qenë i punësuar në Ministrinë e Shëndetësisë, sa kam qenë unë, zoti Zemaj. Në momentin kur të ma gjeni se ai ka qenë i punësuar në Ministrinë e Shëndetësisë, sa kam qenë unë, e jo si ekspert i jashtëm, unë jap llogari edhe para qytetarëve, edhe para juve, zoti Zemaj. Aman, vazhdoni konsistencën në LDK. Ju përgëzoj, por ndaluni me shpifuri, mo, se për besë nuk ka kurrfarë kuptimi. Edhe në Prokurori çoni, mirë që m’i keni dhënë. Unë i çoj menjëherë sot në Prokurori”, ka thënë Vitia.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Bayern Munich po e përcjell me vëmendje zhvillimin e futbollistit…