ADN-ja e pulës në suxhukun shtëpiak të “Buquku”, bllokohen 178 kilogramë produkte, AUV-ja paralajmëron masa të tjera
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar masa kufizuese ndaj prodhimit dhe shpërndarjes së suxhukut të “BUQUKU”-t, pas konstatimit të ADN-së së pulës të padeklaruar në produktin “Suxhuk shtëpiak”.
Ky vendim vjen pasi AUV-ja ka identifikuar praninë e ADN-së së pulës në produktin “Suxhuk shtëpiak” të prodhuesit “BUQUKU”, ndonëse në deklaracionin e produktit figurojnë vetëm mish dhe yndyrë lope.
“Pas pranimit të rezultateve laboratorike, inspektorët e AUV-së kanë realizuar kontroll zyrtar te operatori ekonomik. Sipas procesverbalit të inspektimit, janë bllokuar gjithsej 178 kg produkte, përkatësisht 120 kg suxhuk ‘Kalorik’ dhe 58 kg suxhuk shtëpiak. Njëkohësisht, është urdhëruar ndalimi i prodhimit të suxhukut dhe tërheqja e produkteve nga pikat e shpërndarjes”, thuhet, mes tjerash, në njoftimin e AUV-së.
Njoftimi i plotë:
Prishtinë, 13 nëntor 2026
AUV-ja urdhëron masa kufizuese ndaj prodhimit dhe shpërndarjes së suxhukut të “BUQUKU”-t, pas konstatimit të ADN-së së pulës të padeklaruar në produktin “Suxhuk shtëpiak”.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), në kuadër të kontrolleve zyrtare për sigurinë, cilësinë dhe autenticitetin e produkteve ushqimore, ka identifikuar praninë e ADN-së së pulës në produktin “Suxhuk shtëpiak” të prodhuesit “BUQUKU” SH.P.K., Pejë, ndonëse në deklaracionin e produktit figurojnë vetëm mish dhe yndyrë lope.
Mostra e produktit është marrë nga inspektorët e AUV-së dhe është analizuar në laboratorin ALIMENTI-OMNILAB në Bullgari. Sipas rezultateve laboratorike, është konfirmuar prania e ADN-së së gjedhit dhe ADN-së së pulës.
Rezultati laboratorik ngre dyshime për praninë e përbërësve me origjinë nga pula, të padeklaruar në produkt, përfshirë mundësinë e përdorimit të mishit të pulës të ndarë mekanikisht (MDM). Analiza konfirmon praninë e ADN-së së pulës, por nuk përcakton llojin, sasinë apo burimin e materialit të përdorur. Verifikimet e mëtejshme do të përcaktojnë nëse është përdorur mish i ndarë mekanikisht apo përbërës të tjerë me origjinë nga pula.
Përdorimi i mundshëm i mishit të ndarë mekanikisht në produkte tradicionale si suxhuku shtëpiak kërkon vëmendje të veçantë për sigurinë ushqimore. Procesi i ndarjes mekanike mund të ndikojë në strukturën e mishit dhe të rrisë ndjeshmërinë ndaj kontaminimit dhe shumimit të mikroorganizmave, veçanërisht në rastet kur nuk respektohen kushtet e higjienës, ruajtjes dhe përpunimit.
Pas pranimit të rezultateve laboratorike, inspektorët e AUV-së kanë realizuar kontroll zyrtar te operatori ekonomik. Sipas procesverbalit të inspektimit, janë bllokuar gjithsej 178 kg produkte, përkatësisht 120 kg suxhuk “Kalorik” dhe 58 kg suxhuk shtëpiak. Njëkohësisht, është urdhëruar ndalimi i prodhimit të suxhukut dhe tërheqja e produkteve nga pikat e shpërndarjes.
AUV-ja do të zgjerojë kontrollet zyrtare për të verifikuar përbërjen e të gjitha produkteve të mishit të këtij operatori, burimin dhe gjurmueshmërinë e lëndëve të para, përfshirë përdorimin eventual të mishit të ndarë mekanikisht, procesin teknologjik të prodhimit, kushtet e ruajtjes dhe zinxhirin e ftohtë, përputhshmërinë me deklaracionet e produkteve, si dhe statusin dhe fushëveprimin e aprovimeve për aktivitetet e prodhimit dhe përpunimit.
Kontrollet do të përfshijnë edhe verifikimin e dokumentacionit të furnizimit, regjistrave të prodhimit, kushteve të fermentimit, tharjes dhe trajtimit termik, sipas natyrës së produkteve, si dhe analizat përkatëse laboratorike për identifikimin e rreziqeve të mundshme mikrobiologjike.
Gjetja laboratorike i referohet produktit “Suxhuk shtëpiak” të testuar dhe nuk nënkupton se e njëjta mospërputhje është konstatuar në produktet e tjera të operatorit. Kontrollet e mëtejshme do të përcaktojnë shtrirjen e mundshme të parregullsive dhe zbatimin e masave të urdhëruara.
Sipas nenit 8 të Ligjit nr. 08/L-120 për Ushqim, mbrojtja e konsumatorëve përfshin parandalimin e praktikave mashtruese dhe falsifikimit të ushqimit. Operatorët ekonomikë janë përgjegjës për deklarimin e saktë të përbërjes, gjurmueshmërinë dhe respektimin e kërkesave të sigurisë ushqimore për produktet që vendosin në treg.
AUV-ja do të ndërmarrë masat përkatëse administrative dhe inspektuese, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe rezultatet e kontrolleve zyrtare, si dhe do ta informojë publikun për çdo konstatim dhe masë të mëtejshme.
Agjencia rithekson se konsumatorët kanë të drejtë të informohen saktë për përbërjen dhe sigurinë e ushqimit që blejnë, ndërsa transparenca, deklarimi i saktë dhe respektimi i standardeve të sigurisë ushqimore janë detyrime ligjore të çdo operatori ekonomik.



