KPK: Komisioni shqyrton ankesat e kandidatëve për Prokurorë të Rinj
Komisioni për Rishqyrtimin e Ankesave të Kandidatëve për Prokurorë të Rinj, i kryesuar nga Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, dhe i përbërë nga anëtarët Lulzim Sylejmani dhe Shkëlzen Ibrahimi, ka mbajtur sot takim për shqyrtimin e ankesave të kandidatëve lidhur me fazën e testit kualifikues.
Në takim morën pjesë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Sami Istrefi, ushtruesja e detyrës së udhëheqëses së Departamentit për Integrime Evropiane, Analitikë dhe Verifikim Prokurorial, Margarita Gjocaj, si dhe udhëheqësja e Divizionit për Verifikim Prokurorial, Ismije Maxhuni.
Gjatë takimit, Komisioni shqyrtoi ankesat e pranuara gjatë kësaj periudhe, si dhe pas përfundimit të procesit të shqyrtimit dhe vlerësimit, kandidatët që kanë parashtruar ankesa do të njoftohen për rezultatet e shqyrtimit të tyre.
Këshilli Prokurorial i Kosovës mbetet i përkushtuar për garantimin e transparencës, paanshmërisë dhe respektimit të procedurave ligjore gjatë të gjitha fazave të procesit të rekrutimit të prokurorëve të rinj, duke siguruar që çdo ankesë e paraqitur nga kandidatët të shqyrtohet me kujdes, objektivitet dhe në përputhje me kriteret dhe rregullat në fuqi.



