KUR PARALAJMËRIMET INJOROHEN, FATURËN E PAGUAN USHTARI!

15 nëntor 2026 | 13:04

Shkruan: Gjenerali Hisen Berisha

ARMA AMERIKANE, MUNICIONI TURK DHE RREZIKU PËR JETËN E USHTARËVE TË FSK-së

Albin Kurti mori meritën politike për një projekt të paralajmëruar dhe të kontestuar që nga fillimi. Sot duhet ta marrë edhe përgjegjësinë!

Është apo tingëllon me dozë arrogance kur thua se, ju kam thënë, ju kam paralajmëruar!
Por, kur bëhet fjalë për sigurinë dhe jetën e ushtarit, nuk është çështje arrogance të rikujtosh paralajmërimet e tua.
Është përgjegjësi profesionale dhe qytetare të mos heshtësh përballë një rreziku që e ke identifikuar dhe e ke bërë publik.

Unë kam paralajmëruar! Kam kundërshtuar! Kam kërkuar standarde! Por, për fat të keq, shqetësimet e deklamuara u trajtuan si kundërshtim politik, ndërsa sot po përballemi me një incident që ngre pikëpyetje serioze për sigurinë e ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Sot nuk kemi të bëjmë vetëm me një incident teknik në poligonin e FSK-së. Kemi të bëjmë me një çështje të rëndë të përgjegjësisë politike, institucionale, profesionale dhe të sigurisë kombëtare.

Sipas pamjeve dhe raportimeve të publikuara më 11 nëntor 2026, gjatë ushtrimeve të FSK-së në Babaj të Bokës, një municion 40-milimetërsh, i prodhuar në Turqi, ka shpërthyer brenda granatuesit automatik amerikan MK-19, duke lënduar ushtarin që po e përdorte.
Raportimet mediatike flasin edhe për incidente të ngjashme të mëhershme, përfshirë ato të qershorit dhe shtatorit të këtij viti.

FSK-ja ka konfirmuar incidentin dhe ka bërë të ditur se pjesëtari i saj ka pësuar lëndime të lehta.
Por, një komunikatë për lëndime të lehta nuk është përgjigje për pyetjet serioze që shtrohen për shkakun e incidentit, përshtatshmërinë e municionit dhe përgjegjësinë e atyre që kanë autorizuar përdorimin e tij.

Kjo nuk është më çështje e debatit politik për një projekt qeveritar.
Është çështje e sigurisë së jetës së ushtarit, e përgjegjësisë komanduese dhe e mënyrës se si shteti merr vendime në një sektor ku gabimet mund të kenë pasoja fatale.

Më 29 nëntor 2024, në shkrimin tim të publikuar në Qendra Press, me titullin: “Fabrika e municionit dhe fluturaket pa pilot, aspiratë strategjike apo kauzë elektorale?” kam ngritur publikisht shqetësimet e mia për këtë projekt, mënyrën e promovimit dhe mungesën e një qasjeje të mirëfilltë strategjike.

Më 19 dhjetor 2024, në emisionin Politico të Kanal 10, e kam kundërshtuar përsëri marrëveshjen me prodhuesin shtetëror turk Makine ve Kimya Endüstrisi (MKE), duke ngritur pikëpyetje për modelin e këtij bashkëpunimi, qëndrueshmërinë e tij dhe pasojat e mundshme për kapacitetet mbrojtëse të Kosovës.

Pra, nuk është një qëndrim pas incidentit. Qëndrimi im është publik, i datuar dhe i dokumentuar.

Nuk e kam kundërshtuar dhe as nuk e kundërshtoj zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në Kosovë.
Përkundrazi, zhvillimi i kapaciteteve tona prodhuese është imperativ strategjik dhe nevojë afatgjatë e shtetit edhe në Planin Gjithpërfshirës të Tranzicionit të Forcës.

Por, industria e mbrojtjes nuk ndërtohet me propagandë, me marrëveshje politike të promovuara për efekte elektorale, pa studime të mjaftueshme fizibiliteti, pa garanci teknologjike dhe pa koordinim me partnerët tanë strategjikë.

Kam paralajmëruar për rrezikun që një projekt me rëndësi strategjike për vendin të shndërrohej në kauzë elektorale, pa u dëshmuar paraprakisht qëndrueshmëria ekonomike, ligjore, teknologjike dhe ushtarake e tij.

Në veçanti, kam ngritur shqetësimin për përshtatshmërinë e municionit të prodhuar sipas specifikimeve të një prodhuesi turk me sistemet amerikane të armatimit që posedon FSK-ja.

Kur i ngritja këto shqetësime, nga zyrtarë të fushës së mbrojtjes, deri te vetë ministri Ejup Maqedonci, dëgjoja arsyetime se mekanizmi i prodhimit turk mund të përshtatej dhe të prodhohej municion për armët amerikane.

Por, në çështjet e armatimit nuk vendoset me bindje personale, deklarata politike apo improvizime teknologjike.

Municioni duhet të jetë teknikisht i përshtatshëm për sistemin konkret të armës, i testuar, i certifikuar dhe i autorizuar për përdorim sipas specifikimeve të prodhuesit dhe standardeve përkatëse. Nuk mjafton kalibri i njëjtë!

Një armë amerikane nuk bëhet automatikisht kompatibile me municionin turk vetëm pse ka të njëjtin kalibër.
Përshtatshmëria teknike nuk prezumohet, ajo provohet me dokumentacion, testime dhe certifikim.

Në ushtri nuk ka vend për logjikën, hajt provoje njëherë, pastaj shohim çfarë ndodh!

Përgjegjësia politike për këtë projekt nuk mund të kufizohet vetëm te ministri i Mbrojtjes, e aq më pak të bartet e gjitha te ndonjë zyrtar teknik apo te zinxhiri komandues.

Ajo duhet të fillojë nga kreu i Qeverisë.

Më 27 nëntor 2024, në Ditën e FSK-së dhe në prag të zgjedhjeve parlamentare, kryeministri Albin Kurti e shpalli iniciativën për themelimin e industrisë së municionit dhe laboratorit për fluturake pa pilot. Po atë ditë u themelua komisioni ndërministror i udhëhequr nga ministri Ejup Maqedonci.

Më 16 dhjetor 2024, Qeveria nënshkroi marrëveshjen me kompaninë shtetërore turke MKE për funksionalizimin e një filiali të fabrikës së municionit në Kosovë.

Kryeministri ishte promotori dhe bartësi kryesor politik i kësaj iniciative. Ai e promovoi si dëshmi të forcimit të shtetit dhe të ushtrisë, duke e vendosur në qendër të komunikimit të tij politik.

Prandaj, sot nuk mund të sillet sikur bëhet fjalë për një çështje të izoluar teknike, për të cilën përgjegjës janë vetëm vartësit e tij. KUSH E MORI MERITËN POLITIKE, DUHET TA MARRË EDHE PËRGJEGJËSINË!

Albin Kurti duhet të përgjigjet për çështjet si:

-Kush e propozoi dhe kush e miratoi modelin e këtij bashkëpunimi?
-A është bërë studimi i plotë i fizibilitetit dhe vlerësimi i rreziqeve teknike e të sigurisë?
-A është konsultuar dhe koordinuar projekti me partnerin strategjik amerikan?
-A janë vlerësuar ndikimet në standardizimin dhe ndërveprueshmërinë e FSK-së me sistemet amerikane?
-Kush mori vendimin për furnizimin dhe përdorimin e municionit turk në granatuesit amerikanë MK-19?
-Çfarë mekanizmash kontrolli, testimi dhe certifikimi janë zbatuar para se ky municion të vihej në duart e ushtarëve?

Kryeministri duhet të dalë para Kuvendit dhe opinionit publik me përgjigje konkrete, jo me propagandë për forcimin e ushtrisë.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë politike dhe administrative për mbikëqyrjen e sektorit të mbrojtjes, furnizimet dhe zbatimin e politikave të miratuara.

Si ish-ushtarak dhe drejtues i institucionit përgjegjës për mbrojtjen, ai duhet të sqarojë se mbi çfarë vlerësimesh teknike është mbështetur vendimmarrja, cilat garanci sigurie janë kërkuar dhe kush i ka verifikuar ato.

Nuk mund të fshihet përgjegjësia politike dhe institucionale pas një komunikate se ushtari ka pësuar lëndime të lehta.

Komandanti i FSK-së, gjenerali Bashkim Jashari, dhe i gjithë zinxhiri komandues duhet të japin llogari për procedurat e pranimit, testimit, magazinimit dhe përdorimit të municionit.

Duhet të përcaktohet se kush e ka bërë vlerësimin e kompatibilitetit, kush e ka certifikuar municionin, kush e ka autorizuar përdorimin dhe kush ka qenë në dijeni për incidentet e mëhershme, nëse ato konfirmohen.

A janë respektuar procedurat e sigurisë?
A janë marrë parasysh paralajmërimet teknike?
A është ndërprerë përdorimi i municionit pas incidenteve të para?

Nëse hetimi konstaton se janë anashkaluar standardet e sigurisë, procedurat ushtarake apo detyrimet zyrtare, përgjegjësit duhet të përballen me pasojat ligjore dhe penale, sipas ligjit.

Ushtari nuk është subjekt eksperimentimi.
Ai është pjesëtar i një force të armatosur që duhet të mbështetet në standarde të qarta teknike, procedura të certifikuara dhe zinxhir të përcaktuar të përgjegjësisë.

Forca e Sigurisë së Kosovës është ndërtuar dhe zhvilluar me mbështetjen strategjike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. PARTNERITETI STRATEGJIK ME SHBA-në NUK ËSHTË DEKOR POLITIK!

Partneriteti ynë ushtarak me SHBA-në, përfshirë marrëveshjen gjithëpërfshirëse SOFA dhe bashkëpunimin me Gardën Kombëtare të IOWA-s, është themel i zhvillimit të kapaciteteve tona profesionale, operacionale dhe ndërveprueshmërisë ushtarake.

Nuk mund të ndërtohet një ushtri me orientim dhe standarde amerikane dhe pastaj, për interesa të një bashkëpunimi tjetër tregtar apo politik, të shpërfillen specifikimet teknike që garantojnë sigurinë e saj.

Kjo nuk është çështje nëse Turqia është partnere e rëndësishme e Kosovës.
Turqia mund dhe duhet të jetë partnere e jona në fusha të ndryshme.
Por, në çështjet e armatimit, partneriteti politik nuk e zëvendëson certifikimin teknik dhe asnjë marrëveshje tregtare nuk mund të qëndrojë mbi sigurinë e ushtarit.

Prandaj, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë duhet të informohet zyrtarisht dhe të kërkohet përfshirja e ekspertizës përkatëse amerikane në vlerësimin e pavarur teknik të municionit të përdorur në sistemin MK-19.

Nuk mund të rrezikohet besueshmëria e partneritetit tonë strategjik për shkak të vendimeve të pakontrolluara, interesave tregtare apo aventurave politike të askujt.

Kjo çështje nuk mund të mbyllet me një komunikatë institucionale dhe as të trajtohet si një incident i zakonshëm gjatë ushtrimeve ushtarake. Prandaj, KËRKOHET HETIM I PLOTË DHE PËRGJEGJËSI NË TË GJITHA NIVELET di:

Prokuroria kompetente të hetojë të gjitha rrethanat e incidenteve, përfshirë vendimmarrjen, furnizimin, pranimin, testimin dhe autorizimin e përdorimit të municionit.

Të angazhohet ekspertizë e pavarur teknike, mundësisht edhe me përfshirjen e ekspertëve amerikanë, për të përcaktuar shkakun e shpërthimeve dhe përshtatshmërinë e municionit me sistemin MK-19.

Të ndërpritet përkohësisht përdorimi i loteve të dyshuara të municionit, deri në përfundimin e testimeve dhe certifikimit të pavarur, nëse ekspertët vlerësojnë se ekziston rrezik për sigurinë.

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes i Kuvendit të Kosovës të thërrasë seancë dëgjimore dhe të kërkojë raportim nga kryeministri, ministri i Mbrojtjes dhe Komanda e FSK-së. Kuvendi nuk mund të mbetet spektator kur vihet në pikëpyetje siguria e ushtarëve dhe funksionaliteti i kapaciteteve tona mbrojtëse.

Të bëhet auditim i plotë i kontratave dhe furnizimeve, (edhe sipas nenit 3, të ligjit të prokurimit) duke përfshirë specifikimet teknike, çmimet, procedurat e prokurimit dhe çdo interes eventual që mund të ketë ndikuar në vendimmarrje.

AKI-ja të vlerësojë, brenda kompetencave të saj, nëse ekzistojnë indicie për ndërhyrje të qëllimshme, sabotim, konflikt interesi apo cenim të sigurisë së furnizimit dhe kapaciteteve ushtarake të vendit. Çdo dyshim duhet të verifikohet mbi bazën e provave.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës të shqyrtojë implikimet e këtij rasti për sigurinë shtetërore dhe të iniciojë procedurat përkatëse nëse konstatohen shkelje që prekin sigurinë kombëtare.

Të përcaktohet përgjegjësia në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, nga përgjegjësia politike e kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes deri te përgjegjësia profesionale dhe komanduese e personave që kanë autorizuar veprimet konkrete.

Gjithashtu, duhet të bëhet dallimi ndërmjet marrëveshjes për ndërtimin e kapaciteteve prodhuese të MKE-së në Kosovë dhe furnizimit me municionin që është përdorur në MK-19.
Këto procese duhen hetuar veçmas në aspektin teknik dhe kontraktual, por edhe në raport me vendimmarrjen politike dhe interesin shtetëror.

Nuk duhet paragjykuar askush para përfundimit të hetimeve.
Por as nuk duhet të mbrohet askush nga hetimi për shkak të pozitës politike apo institucionale.

Qëndrimi im ka qenë dhe mbetet i qartë. NUK KAM QENË KUNDËR INDUSTRISË SË MBROJTJES, POR KUNDËR BIZNESIT NË EMËR TË SIGURISË!

Kosova ka nevojë për industri të vetën të mbrojtjes. Ka nevojë për prodhim vendor, teknologji, ekspertizë, investime dhe pavarësi më të madhe në furnizim.

Por këto kapacitete nuk ndërtohen me propagandë elektorale, me marrëveshje të paqarta dhe me improvizime që mund ta vënë në rrezik jetën e ushtarit.

Industria e mbrojtjes duhet të jetë projekt shtetëror, i mbështetur në strategji afatgjate, standarde të NATO-s, transparencë, mbikëqyrje parlamentare, transferim të teknologjisë së verifikuar dhe koordinim me partnerët tanë strategjikë.

Asnjë kontratë, asnjë investim dhe asnjë interes tregtar nuk mund të qëndrojë mbi sigurinë e ushtarit dhe interesin shtetëror.

Nuk mund të pretendojmë se po ndërtojmë një ushtri moderne, ndërkohë që nuk garantojmë përputhshmërinë teknike të municionit me armët që ajo i ka në dispozicion.

Unë nuk kam kundërshtuar zhvillimin e Kosovës, kam kundërshtuar shndërrimin e interesit shtetëror në kauzë elektorale.
Nuk kam kundërshtuar industrinë e mbrojtjes, kam kundërshtuar improvizimet, mungesën e standardeve dhe vendimet që mund ta cenojnë sigurinë e ushtarit dhe besueshmërinë e partneritetit tonë strategjik me SHBA-në.

E kam thënë para dy vjetësh. E them edhe sot, se nuk kërkoj që dikush të më japë të drejtë politikisht.
Kërkoj të dalë e vërteta, të përcaktohet përgjegjësia dhe të merren masa që një incident i tillë të mos përsëritet.

Albin Kurti e mori meritën politike për shpalljen e këtij projekti. E promovoi si dëshmi të forcimit të shtetit dhe të ushtrisë. Sot nuk mund të fshihet pas ministrit, gjeneralëve apo zyrtarëve teknikë. AI E MORI MERITËN POLITIKE, DUHET TA MARRË EDHE PËRGJEGJËSINË!

Ministri të japë llogari.
Komandanti të japë llogari.
Kontratat dhe furnizimet të hetohen.
Përgjegjësit të penalizohen nëse provohen shkelje.

Sepse në ushtri dhe në polici, improvizimi nuk është guxim, është papërgjegjësi.
Në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, çmimin e saj mund ta paguajnë me jetë ushtarët, policët dhe qytetarët e shtetit.

NË USHTRI NUK IMPROVIZOHET!
NË MBROJTJE NUK BËHET POPULIZËM!
JETA E USHTARIT NUK ËSHTË TERREN EKSPERIMENTAL I ASKUJT!

SIGURIA KOMBËTARE NUK ËSHTË BIZNES I ASKUJT!

 

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ushtria e Bahreinit ka njoftuar se sistemet e mbrojtjes ajrore…