Kurti pranon letër falënderimi nga bashkëkryetarët e Partisë Socialdemokrate të Zvicrës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një letër falënderimi nga bashkëkryetarët e Partisë Socialdemokrate të Zvicrës (SP), Cédric Wermuth dhe Mattea Meyer.
Letra vjen si përgjigje ndaj urimit që Kurti u kishte përcjellë Wermuthit dhe Meyerit me rastin e rizgjedhjes së tyre në krye të kësaj partie.
Sipas njoftimit, Lëvizjen Vetëvendosje dhe Partinë Socialdemokrate të Zvicrës i bashkojnë vlerat e përbashkëta të drejtësisë sociale, solidaritetit dhe demokracisë. Bashkëpunimi ndërmjet dy subjekteve politike është ndërtuar ndër vite dhe është formalizuar edhe përmes një Memorandumi të Mirëkuptimit (MoU).
Këto raporte politike dhe miqësore vlerësohen si një mundësi për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, si dhe për zgjerimin e bashkëpunimit në të ardhmen.
Në njoftim është theksuar se partneritetet e qëndrueshme ndërtohen mbi vlera të përbashkëta dhe forcohen përmes solidaritetit dhe veprimit të përbashkët.



