Nga Fatos Nano te Kastriot Islami dhe Elisa Spiropali, historia e përjashtimeve nga Partia Socialiste
Elisa Spiropali është përjashtuar dje nga forumet e PS-së, pas njoftimit të sekretarit të përgjithshëm të partisë, Blendi Klosi. Megjithatë, ajo nuk është e vetmja, pasi kjo parti ka një histori të gjatë përjashtimesh, e cila nis me ish-kryeministrin Fatos Nano.
Ndër vite, vendimet për largimin nga Grupi Parlamentar apo strukturat drejtuese janë marrë për arsye të ndryshme, kryesisht në sfondin e përplasjeve politike dhe mosmarrëveshjeve brenda së majtës.
Një nga rastet e para të bujshme ishte ai i Fatos Nanos në vitin 2007. Asokohe, kryetari i PS-së, Edi Rama, u ka thënë gazetarëve se Nano nuk ishte më pjesë e projektit politik të Partisë Socialiste.
Po në vitin 2007, gjashtë deputetë socialistë, Paulin Sterkaj, Durim Lamaj, Durim Hushi, Bukurosh Stafa, Taulant Dedja dhe Hamit Kosta, u përjashtuan nga Grupi Parlamentar i PS-së, pas votës së tyre pro Bamir Topit për President të Republikës.
Katër vite më vonë, në vitin 2011, ishte radha e Kastriot Islamit për t’u përjashtuar nga Grupi Parlamentar socialist. Vendimi erdhi pas mosrespektimit të qëndrimit politik të partisë. Kjo periudhë u shoqërua me përplasje të forta brenda PS-së dhe me Lëvizjen për Mendim Ndryshe, ku bënin pjesë Ben Blushi, Arben Malaj, Andis Harasani dhe Marko Bello.
Në vitin 2015, Tom Doshi u përjashtua nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste. Një vit më vonë, Koço Kokëdhima u shkarkua nga funksionet drejtuese në PS.
Në vitin 2017, një tjetër emër i rëndësishëm i socialistëve, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, u përjashtua nga Grupi Parlamentar dhe forumet e Partisë Socialiste.
Lista e largimeve dhe përjashtimeve ka vijuar edhe në vitet pasuese. Në vitin 2021, Dritan Leli u përjashtua nga Partia Socialiste, ndërsa dje vendimi për përjashtimin nga forumet e partisë u mor edhe ndaj Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës. Vendimin e ka bërë të ditur Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, pas Asamblesë së mbajtur një ditë më parë.
Historiku i përjashtimeve:
2007 – Fatos Nano: Edi Rama u ka thënë gazetarëve se Fatos Nano nuk ishte më pjesë e projektit politik të Partisë Socialiste.
2007 – Gjashtë deputetë socialistë: Paulin Sterkaj, Durim Lamaj, Durim Hushi, Bukurosh Stafa, Taulant Dedja dhe Hamit Kosta u përjashtuan nga Grupi Parlamentar pas votës pro Bamir Topit për President.
2011 – Kastriot Islami: U përjashtua nga Grupi Parlamentar pas mosrespektimit të qëndrimit politik të PS-së. Kjo ishte periudha e përplasjeve me Lëvizjen për Mendim Ndryshe, ku bënin pjesë Ben Blushi, Arben Malaj, Andis Harasani dhe Marko Bello.
2015 – Tom Doshi: U përjashtua nga Grupi Parlamentar.
2016 – Koço Kokëdhima: U shkarkua nga funksionet drejtuese në PS.
2017 – Saimir Tahiri: U përjashtua nga Grupi Parlamentar dhe forumet e partisë.
2021 – Dritan Leli: U përjashtua nga Partia Socialiste.
2026 – Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca: U përjashtuan nga forumet e PS-së.



