ShSKUK-ja suspendon katër punonjës për parregullsi në menaxhimin e barnave dhe materialit shpenzues
Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka njoftuar se katër punonjës janë suspenduar pas evidentimit të parregullsive në menaxhimin e barnave dhe materialit shpenzues në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Sipas njoftimit të ShSKUK-së, vendimi për suspendimin e katër punonjësve është marrë nga Komisioni Disiplinor i QKUK-së, pas evidentimit të parregullsive.
Për këtë çështje është diskutuar edhe në mbledhjen e tetë të Bordit Drejtues të ShSKUK-së, të udhëhequr nga kryesuesi Faik Shatri, ku drejtori i Përgjithshëm, Elvir Azizi, ka raportuar për masat e para disiplinore të ndërmarra.
Bordi Drejtues ka kërkuar nga Drejtoria e Përgjithshme që në çdo mbledhje të raportojë për ecurinë e procedurave disiplinore dhe veprimet e ndërmarra.
ShSKUK-ja ka bërë të ditur se do të vazhdojë trajtimin e rasteve në përputhje me procedurat në fuqi, me synim forcimin e përgjegjësisë institucionale në menaxhimin e barnave dhe materialit shpenzues.
“Koha” ka raportuar në vazhdimësi për mungesën e barnave dhe materialit shpenzues. Lidhur me mungesën e barnave, Kuvendi ka mbajtur interpelancë më 13 nëntor, ndonëse kjo nuk i ka dhënë zgjidhje kësaj çështjeje.



