Qytetarët kundërshtojnë projektin për fontanën në Ulpianë
Fontana është një nga “monumentet” ikonike të lagjes Ulpiana në kryeqytet.
Për të, më 6 nëntor 2026, është marrë një vendim në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Në këtë mbledhje është vendosur që në këtë zonë të kryeqytetit të ndërtohet një objekt i ri për akomodimin e sportistëve dhe stafit përcjellës gjatë Lojërave Mesdhetare 2030, si dhe një parking nëntokësor në zonën e Fontanës.
Ky projekt tashmë është shndërruar në debat publik, ku fillimisht po kundërshtohet nga banorët e më pas edhe nga opozita.
Ndërtimi i këtyre objekteve po ngjall frikën te qytetarët se do të zhduken hapësirat e gjelbra që gjenden në atë zonë.
Hajrie Hyseni, banore e Ulpianës, ka thënë se nuk duhet të bëhen këto ndërtime dhe se është e nevojshme të ketë gjelbërim, duke kritikuar qeverisjen e Ramës.
Edhe Ismet Muhaxheri mendon se hapësirat e gjelbra duhet të ruhen.
Ndërkohë, Hedije Kastrati ka vlerësuar se ky projekt duhet të realizohet më larg qendrës së qytetit.
Qasje kritikuese ndaj këtij projekti kanë edhe nga Kryesia e Qendrës së Prishtinës e Lëvizjes Vetëvendosje.
Flutura Jusufi nga kjo kryesi ka thënë për “KosovaPress” se ky është një projekt i dëmshëm për të gjithë banorët e Prishtinës.
Ndërkohë, drejtori i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik në Komunën e Prishtinës, Bekim Ramku, ka thënë për “KosovaPress” se projekti nuk do ta cenojë fontanën.
Më pas, ai ka treguar se aty planifikohet të ndërtohet një parking nëntokësor për 750-800 vetura.
“Caktimi i lokacionit është bërë për një parking nëntokësor me kapacitet 750-800 vetura apo edhe më shumë nën fontanë, pa e cenuar fontanën dhe rrethin”, ka thënë Ramku.
Drejtori ka thënë se qytetarët ende nuk e kanë të qartë se çfarë do të ndërtohet dhe për këtë “fajëson” vetë Komunën.
Në anën tjetër, ai ka theksuar se nëse qytetarët nuk duan që të ndërtohet, projekti nuk do të zhvillohet.
“Fatkeqësisht, qytetarët nuk e kanë të qartë se çfarë do të realizohet aty. Një pjesë e përgjegjësisë bie edhe mbi vetë Komunën, e cila nuk e ka komunikuar mjaftueshëm qartë projektin e propozuar. Komunës i mbetet t’ua shpjegojë banorëve se si është konceptuar ndërhyrja, ndërsa vendimi, gjithsesi, duhet të merret në bashkëpunim me ta, pasi ndërhyrja do të bëhej në interes të banorëve. Nëse banorët mendojnë se nuk ka nevojë për një ndërhyrje të tillë, atëherë, natyrisht, ajo nuk do të realizohet”, ka thënë Ramku.
Deri tani, ka pasur vetëm kritika dhe kundërshtime ndaj këtij projekti. /KosovaPress



