Tre vjet burgim për tentimvrasje me armë zyrtare – “Kënaqësi t’ju kem afër në këto ditë”, shkruan polici Korab Pepaj

15 nëntor 2026 | 19:00

Zyrtari policor Korab Pepaj ka publikuar një mesazh për familjarët dhe miqtë, dy ditë pasi Gjykata Themelore në Mitrovicë e dënoi në rigjykim me tre vjet burgim për vrasje në tentativë ndaj Milan Jovanoviqit.

“Familjarë e miq, knaqësi t’ju kem afër n’kto ditë”, thuhet në postimin e publikuar në Facebook nga profili “Koki Pepa”. Në postim nuk përmendet aktgjykimi. Disa komentues i kanë shprehur mbështetje Pepajt.

Siç ka raportuar Gazeta Sinjali, aktgjykimi u shpall më 13 nëntor 2026. Gjykata i shqiptoi Pepajt të njëjtin dënim si në gjykimin e parë, pasi Gjykata e Apelit e kishte kthyer lëndën në rigjykim.

Rasti lidhet me plagosjen e Jovanoviqit më 10 prill 2023 pranë pikës së kontrollit policor te Ura e Bistricës, në rrugën Leposaviq–Mitrovicë. Sipas aktakuzës, Pepaj qëlloi dy herë me armën zyrtare drejt automjetit të Jovanoviqit, pasi ky i fundit, sipas Prokurorisë, nuk iu bind urdhrit për t’u ndalur. Jovanoviqi u plagos në krahun e djathtë.

Mbrojtja e Pepajt ka kundërshtuar se ishte provuar qëllimi për ta vrarë Jovanoviqin. Aktgjykimi i shpallur në rigjykim mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Më 29 korrik 1999, gazeta “Rilindja” publikoi listën e intelektualëve…