Skenderi: Një dokument i historisë sonë që nuk duhet harruar!
Më 29 korrik 1999, gazeta “Rilindja” publikoi listën e intelektualëve dhe veprimtarëve shqiptarë të Mitrovicës, të cilët, sipas dokumentit të publikuar nga Besnik Skenderi, ishin vënë në shënjestër për t’u likuiduar nga strukturat e regjimit serb.
Në mesin e kësaj liste, në numrin 18, figuron edhe emri i babait të Besnikut, Prof. Dr. Skender Skenderit, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës dhe njëri prej protagonistëve të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, tekstin e së cilës e kishim përgatitur në shtëpinë tonë.
“Sot, në moshën 92-vjeçare, babai im mbetet dëshmitar i gjallë i një periudhe vendimtare të historisë sonë; një kohe kur angazhimi për lirinë, të drejtat dhe shtetësinë e Kosovës shoqërohej me rrezikun e vazhdueshëm për jetën.
Jam krenar për babanë tim, për qëndresën e tij dhe për gjithë brezin e tij, i cili, në rrethana të jashtëzakonshme, kontribuoi në themelimin e shtetit të Kosovës.
Emrat, dokumentet dhe dëshmitë e asaj kohe nuk duhet të harrohen. Ato janë pjesë e kujtesës sonë kolektive dhe dëshmi e çmimit që u pagua për lirinë.
Liria që gëzojmë sot nuk erdhi rastësisht!”, ka shkruar Besnik Skenderi.




