Ferat Neziri sqaron përfshirjen në nismën e përfolur: Unë, familja ime dhe Plus Market nuk jemi kundër Islamit

15 nëntor 2026 | 22:04

Ferat Neziri, njëri nga drejtuesit e kompanisë Plus Market, ka reaguar pas publikimeve dhe diskutimeve të fundit në rrjetet sociale, ku emri i tij dhe i kompanisë është lidhur me pretendime për përfshirje në një organizatë që, sipas reagimeve të publikuara, mban qëndrime kundër fesë islame.

Përmes një sqarimi publik, Neziri ka mohuar kategorikisht çdo qëndrim kundër Islamit dhe besimtarëve myslimanë, duke theksuar se përfshirja e tij në nismën e përmendur ka pasur për qëllim mbështetjen e çështjeve kombëtare shqiptare.

Ai është distancuar nga çdo deklaratë apo veprimtari që, siç thotë, cenon besimin fetar të qytetarëve, duke theksuar se dashuria për kombin dhe respekti për fenë nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën.

Në reagimin e tij, Neziri ka përmendur edhe vendimin e Plus Market për të mos tregtuar produkte serbe, të cilin e ka cilësuar si një nga dëshmitë e përkushtimit të familjes dhe biznesit të tij ndaj vendit.

Ai ka shprehur shqetësimin edhe për thirrjet për bojkotimin e Plus Market, duke thënë se këto thirrje bazohen në pretendime që nuk pasqyrojnë bindjet dhe qëndrimet e tij.

Në fund të reagimit, Neziri ka theksuar se i takon besimit islam dhe se respekti për fenë, kombin dhe qytetarët e vendit mbetet i pandryshuar.

Reagimi i plotë i Ferat Nezirit:

SQARIM PUBLIK

Të nderuar miq, familjarë, bashkëqytetarë dhe konsumatorë të Plus Market,

Duke marrë parasysh disa publikime dhe reagime që kanë qarkulluar ditëve të fundit në rrjetet sociale, ku emri im dhe ai i Plus Market janë lidhur me pretendime për përfshirje në një organizatë me qëndrime kundër fesë islame, e ndiej si obligim moral dhe personal t’ju drejtohem me këtë sqarim.

Dua ta bëj të qartë që në fillim: As unë, as familja ime dhe as Plus Market nuk kemi qenë dhe nuk do të jemi kurrë kundër fesë islame apo besimtarëve myslimanë.

Përfshirja ime në nismën e përmendur ka pasur vetëm një qëllim: kontributin në interes të kombit shqiptar, mbështetjen e çështjeve kombëtare dhe forcimin e vlerave tona si shoqëri.

Asnjëherë nuk kam pasur për qëllim të përkrah ndonjë ideologji apo veprimtari që synon të cenojë besimin fetar të qytetarëve tanë.

Distancohem qartë dhe pa asnjë rezervë nga çdo deklaratë, qëndrim apo veprimtari kundër Islamit, myslimanëve apo cilitdo komunitet tjetër fetar. Qëndrimet individuale të personave të tjerë nuk përfaqësojnë bindjet dhe vlerat e mia.

Për mua, dashuria për kombin dhe respekti për fenë nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Përkundrazi, besoj se këto vlera duhet të na bashkojnë dhe jo të na përçajnë.

Kontributin tonë për vendin nuk e kemi shprehur vetëm me fjalë.

Si familje dhe si biznes, ndër vite kemi marrë vendime që pasqyrojnë përkushtimin tonë ndaj vendit dhe qytetarëve. Një ndër to është edhe vendimi që Plus Market të mos tregtojë produkte serbe, një qëndrim të cilin e kemi mbajtur me bindje, pavarësisht interesave ekonomike.

Pikërisht për këtë arsye, më kanë shqetësuar thirrjet publike për bojkotimin e Plus Market, të mbështetura në pretendime që nuk pasqyrojnë qëndrimet e mia.

Dua të theksoj se çdo qytetar ka të drejtë të kërkojë sqarime, të shprehë mendimin e tij dhe të vendosë vetë se ku dëshiron të blejë. Megjithatë, duhet të kemi parasysh se bojkotimi i një rrjeti që ka zgjedhur të mos tregtojë produkte serbe, në praktikë mund t’i orientojë konsumatorët drejt bizneseve që vazhdojnë t’i tregtojnë ato.

Shpresoj sinqerisht që shqetësimet e ngritura të jenë të motivuara nga dëshira për sqarim dhe jo nga interesa apo prapavija të tjera.

Nuk kam asgjë për të fshehur dhe asnjë arsye për t’u distancuar nga vlerat me të cilat jam rritur. Por kam çdo arsye të distancohem nga qëndrime që nxisin urrejtje dhe përçarje fetare.

U kërkoj të gjithëve që të mos nxitojnë në gjykime dhe të mos lejojnë që informacione të paverifikuara të krijojnë ndasi mes nesh.

Në fund, dua të falënderoj secilin që më ka kontaktuar personalisht për të kërkuar sqarim, si dhe të gjithë ata që ndër vite kanë mbështetur familjen tonë dhe Plus Market.

Respekti im për fenë, kombin dhe secilin qytetar të këtij vendi mbetet i pandryshuar.

Feja është çështje e besimit, kombi është përkatësia jonë, ndërsa respekti për njëri-tjetrin është përgjegjësi e të gjithëve.

Si përfundim deklaroj me krenari që jam SHQIPTAR dhe i takoj BESIMIT ISLAM!

Me respekt,

Ferat Neziri

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Temperaturat në Kosovë gjatë javës së ardhshme do të arrijnë…