Estonia merr vendim ndaj Rusisë, nga 1 dhjetori mbyll të gjitha pikat kufitare

16 nëntor 2026 | 08:18

Estonia ka vendosur t’i mbyllë të gjitha pikat e saj të kalimit kufitar me Rusinë nga 1 dhjetori, pas një sulmi të dyshuar për sabotim ndaj një kompanie të industrisë së mbrojtjes, për të cilin autoritetet estoneze fajësojnë shërbimin rus të inteligjencës ushtarake GRU.

Sipas raportimit të agjencisë ndërkombëtare të lajmeve Reuters, vendimi është bërë i ditur nga ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, të dielën.

Rasti lidhet me një përpjekje për t’i vënë zjarrin kompanisë Threod Systems, e cila prodhon dronë zbulues dhe sulmues. Autoritetet estoneze kanë arrestuar tetë persona, të dyshuar për përfshirje në këtë tentativë, për të cilën pretendohet se ishte organizuar me urdhër të shërbimit rus të inteligjencës ushtarake.

Sipas autoriteteve, të dyshuarit kishin tentuar të sulmonin objektin e kompanisë, ndërsa ndërhyrja e sigurisë dhe policisë kishte parandaluar dëme të mëdha.

Ministri Tsahkna ka paralajmëruar se veprimet armiqësore ndaj Estonisë nuk do të mbeten pa pasoja.

“Rusia duhet ta kuptojë se veprimet armiqësore kundër Estonisë sjellin pasoja”, ka deklaruar ai.

Estonia aktualisht ka tri pika kufitare të hapura me Rusinë, në Narva, Luhamaa dhe Koidula, të cilat shfrytëzohen për qarkullimin e këmbësorëve dhe transportin e mallrave.

Ndërkohë, Moska nuk ka dhënë menjëherë një përgjigje lidhur me akuzat dhe vendimin e Estonisë. Rusia vazhdimisht ka mohuar përfshirjen në operacione sabotimi të pretenduara nga vendet evropiane.

Estonia është anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, si dhe një nga mbështetëset e vazhdueshme të Ukrainës në luftën kundër Rusisë.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Një mision hapësinor që synonte të zgjeronte rrjetin e internetit…