Valencia insiston për Muriqin, Fenerbahçe mund ta shesë
Valencia nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi.
Skuadra spanjolle po dëshiron me çdo kusht transferimin e Muriqit në afatin kalimtar të janarit. Sipas mediave turke, sulmuesi 32-vjeçar mund të largohet nga Fenerbahçe pas vetëm gjashtë muajsh.
Valencia e sheh Muriqin si përforcimin e duhur për repartin ofensiv, ndërsa te Fenerbahçe kanë nisur diskutimet me trajnerin e ri, Emre Belozoglu, për mundësinë e largimit të kapitenit të Kosovës.
Mbetet të shihet se cili do të jetë vendimi i trajnerit Belozoglu, pasi Valencia është e gatshme të bëjë të pamundurën për të siguruar shërbimet e Muriqit, pa vendosur kufi për shumën që do të ofrojë për kartonin e tij.
Muriqi, para fillimit të këtij sezoni, u rikthye te Fenerbahçe nga Mallorca për 15 milionë euro dhe ka kontratë deri në vitin 2029. Në 18 paraqitje për ekipin turk, ai ka shënuar 11 gola dhe ka dhënë dy asistime.



