FIFA publikon ranglistën, Kosova bie për dy pozita
Pas ndeshjeve të këtij muaji në Ligën e Kombeve, FIFA ka publikuar ranglistën e re, në të cilën Kombëtarja e Kosovës ka pësuar rënie.
Kosova i ka zhvilluar dy ndeshjet e fundit të edicionit të pestë të Ligës së Kombeve, duke marrë vetëm një pikë dhe duke e përfunduar garën në vendin e tretë në grupin B3.
Dardanët kanë barazuar pa gola me Izraelin në Prishtinë, ndërsa janë mposhtur me rezultat 3:0 nga Irlanda në Dublin.
Në ranglistën e re të FIFA-s, Kosova renditet në pozitën e 78-të, me 1322 pikë, duke u pozicionuar pas Malit të Zi dhe Izraelit.
Krahasuar me ranglistën e kaluar, Kosova ka rënë për dy pozita, ndërsa shkak për këtë janë bërë rezultatet e fundit në Ligën e Kombeve.
Ndërkohë, Kombëtarja e Shqipërisë është ngjitur për një pozitë dhe tani renditet në vendin e 65-të, me 1388 pikë.
Shqipëria e ka fituar grupin C1 të Ligës së Kombeve, duke siguruar promovimin në Ligën B për sezonin 2028/29 të kësaj gare.
Sa i përket kreut të ranglistës, atë e mban Spanja, e ndjekur nga Argjentina, Franca, Anglia dhe Maroku.



