Jakup Krasniqi mbërrin në shtëpinë e tij në Velani në ditën e katërt të vizitës
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka mbërritur sërish në shtëpinë e tij në lagjen Velania të Prishtinës, në ditën e katërt të vizitës së tij humanitare në Kosovë. Edhe në mëngjesin e së shtunës, Krasniqi është shoqëruar nga pjesëtarë të EULEX-it, ndërsa në zonën përreth shtëpisë janë të pranishme forca të shtuara të policisë.
Krasniqi u kthye në Kosovë të mërkurën, pasi Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ia lejuan një vizitë familjare për arsye bindëse humanitare.
Gjatë tri ditëve të para, ai ka qëndruar për disa orë në shtëpinë e tij, pranë familjarëve, ndërsa në mbrëmje është dërguar në objektet e EULEX-it në Fushë Kosovë, ku e ka kaluar natën nën mbikëqyrje.
Vizita iu mundësua pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij.



