Hysni Gucati: Është dhimbje ta shohësh Jakup Krasniqin në këtë moshë duke u përballur me padrejtësi
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati, ka reaguar lidhur me vizitën e ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi në Kosovë, duke shprehur dhimbjen për situatën me të cilën po përballet ai.
Në një postim në ‘Facebook’, Gucati ka vlerësuar kontributin e Krasniqit për lirinë e Kosovës, duke e cilësuar atë si një njeri që ia kushtoi jetën vendit dhe çështjes kombëtare.
Ai ka shprehur shqetësimin edhe për kufizimin e lirisë së Krasniqit për të takuar familjarët e tij, përfshirë vëllezërit.
Gucati ka bërë të ditur se këto ditë Krasniqi ndodhet në Kosovë për vizitë pranë bashkëshortes së tij, Sevdije Krasniqi, e cila po përballet me probleme shëndetësore. Ai i ka uruar asaj shërim të shpejtë.
Postimi i plotë i tij:
Një burrë që jetën ia fali Kosovës, që nga rinia e hershme e deri më sot nuk ndali asnjë çast për lirinë, dinjitetin dhe të ardhmen e këtij vendi, ta shohësh në këtë moshë duke u përballur me gjithë këto padrejtësi, është një dhimbje e rëndë për çdo zemër që e do këtë tokë.
Ajo që e bën edhe më të rëndë këtë situatë është fakti që atij nuk po i lejohet as liria më elementare njerëzore, të takojë lirisht familjen e tij, madje as vëllezërit e tij. Ky kolos i madh i kombit, që dha gjithçka që Kosova të frymojë e lirë, sot mbahet larg të dashurve të tij nën peshën e padrejtësisë.
Këto ditë ai ndodhet në Kosovë për vizitë pranë bashkëshortes së tij, zonjës Sevdije, e cila nuk është mirë me shëndet. Një grua e fortë, e palodhur dhe e devotshme, e cila ka mbajtur mbi supe peshën e sakrificave të pafundme. Me gjithë zemër i urojmë zonjës Sevdije shëndet të plotë dhe shërim sa më të shpejtë.
Zoti e forcoftë dhe e mbroftë.
Dhe me të njëjtën shpresë e besim të palëkundur, urojmë dhe presim që padrejtësia ndaj Bacit Jakup dhe ndaj të gjithë çlirimtarëve tanë në Hagë të marrë fund sa më shpejt. E vërteta e luftës sonë të drejtë e të pastër nuk mund të mbulohet përgjithmonë nga padrejtësia!



