Një përshëndetje që flet më shumë se mijëra fjalë!
Shkruan: Akademik Arsim Bajrami
Pamja e Jakup Krasniqit, në përfundim të vizitës pranë familjes së tij, ku pati mundësinë të qëndrojë pranë bashkëshortes së sëmurë, është një moment thellësisht njerëzor dhe prekës.
Ndonëse i lënduar nga ndarja me familjen dhe nga procesi i padrejtë gjyqësor në Hagë, Jakup Krasniqi shfaqet i fortë, dinjitoz dhe i palëkundur. Me dorën e ngritur, përmes kësaj përshëndetjeje drejtuar familjarëve dhe popullit të Kosovës, ai përcjell një mesazh të fuqishëm proteste ndaj padrejtësive që ai dhe bashkëluftëtarët e tij po përjetojnë në procesin para Dhomave të Specializuara.
Kjo pamje shpreh dinjitetin, burrërinë dhe krenarinë e një njeriu që një jetë të tërë ia kushtoi lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës. Përtej dhimbjes personale dhe sprovave të rënda, ai dëshmon se dinjiteti njerëzor nuk thyhet lehtë dhe se përkushtimi ndaj atdheut mbetet pjesë e pandashme e identitetit të tij.
Përshëndetja e tij nuk është vetëm një lamtumirë e përkohshme me familjen. Ajo është një mesazh qëndrese, dinjiteti dhe krenarie, drejtuar gjithë Kosovës.



