Botohet libri “Loti i Martës dhe tregime të tjera” i Haki Mulliqit
“Loti i Martës dhe tregime të tjera” është libri më i ri i Haki Mulliqit i cili ka dalë nga shtypi në fundjavë.
Në përmbledhjen me tregime “Loti i Martës dhe tregime të tjera”, Mulliqi ndërton një univers letrar në të cilin kujtesa, dashuria, humbja dhe shpresa ndërthuren në fatet e njerëzve të zakonshëm. Në tregimet e këtij libri jeta shfaqet me bukurinë dhe brishtësinë e fëmijërisë, me pafajësinë e dashurive të para, me peshën e premtimeve të pambajtura, me dhimbjen e ndarjeve, me plagët e luftës dhe me mallin e pashuar për shtëpinë e vendlindjen.
Personazhet e Mulliqit jetojnë mes asaj që kanë humbur dhe asaj që ende shpresojnë të gjejnë. Disa kërkojnë një njeri, të tjerë një kujtim, një dashuri, një vend të braktisur apo një copëz të vetvetes që koha ua ka lënë pas.
Me një rrëfim që ndërthur realizmin me të jashtëzakonshmen, të përditshmen me legjendaren dhe të prekshmen me simboliken, autori krijon atmosferë të veçantë, ku sendet, vendet dhe kujtimet marrin kuptime përtej qenies së tyre. Në këtë botë letrare, edhe një biçikletë e vjetër, një pjatë me hallvë, një gur apo një letër e zverdhur, mund të mbajnë brenda një jetë të tërë.
“Loti i Martës dhe tregime të tjera”, së këndejmi, është një libër për njeriun, për atë që koha nuk arrin ta fshijë dhe për kujtimet që, edhe kur gjithçka tjetër shuhet, vazhdojnë të na mbajnë të lidhur me jetën.



