Bizneset kërkojnë mbështetjen e qeverisë përballë reduktimeve të rrymës dhe shtrenjtimit të prodhimit

23 nëntor 2026 | 11:14

Bizneset prodhuese në Kosovë po përballen me reduktime të shpeshta të energjisë elektrike dhe rritje të kostove të prodhimit, të cilat po ndikojnë në proceset e punës, po shkaktojnë humbje dhe po vështirësojnë konkurrueshmërinë e tyre në treg.

Përfaqësues të kompanive prodhuese kanë ngritur këto shqetësime, duke kërkuar mbështetje institucionale përmes investimeve në energji solare dhe lehtësimeve për prodhuesit.

Kadir Bajrami, menaxher i prodhimit në kompaninë “Hit Flores”, e cila merret me grumbullimin dhe përpunimin e frutave malore, bimëve mjekësore dhe frutave, ka thënë për “Ekonomia Online” se kompania operon kryesisht në tregjet ndërkombëtare, ndërsa me produktet e reja ushqimore është e pranishme edhe në tregun vendor. “Ne zakonisht me programin që kemi me fruta të egra, operojmë 98 për qind në vendet evropiane, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shtetet Arabe. Po ashtu, në programin tjetër që kemi filluar para tre vjetësh, jemi në tregun e brendshëm vendor, po ashtu bëjmë edhe eksporte jashtë vendit”, ka thënë Bajrami.

Ai ka theksuar se ndërprerjet e energjisë elektrike paraqesin problem serioz për bizneset, pasi shkaktojnë humbje dhe dëmtime të inventarit.

Bajrami ka kërkuar që qeveria t’i mbështesë prodhuesit përmes granteve për instalimin e paneleve solare. “Çdo biznes, çdo vend normalisht ka sfida, ka probleme. Për fat të mirë, te ne në kompaninë tonë në zonën e Dragashit nuk kemi pasur shumë reduktime. Por, përkundrazi, është një problem shumë i madh që ndikon si në koston e prodhimit, shkakton humbje, bën prishje të inventarit, ka shumë efekte. Qeveria të jetë krah popullit, përkrahjen, është puna, për shembull, me rrymën, të jenë grante me energji solare, të ndihmojnë pak në kursime që të jetë diçka më e lehtë për përballimin e kostove sa i përket prodhimtarisë. Zakonisht, punëtorë vjetorë i kemi 35 deri në 40, kurse sezonalë shkon deri në 100”, ka theksuar ai.

Ndërsa Samir Durmishi, drejtor në kompaninë “SANY” SH.P.K., me seli në Prizren, e cila merret me prodhimin e pastave dhe jufkave artizanale, ka thënë se ndërprerjet e energjisë elektrike po e vështirësojnë ndjeshëm punën e fabrikës. Ai ka sqaruar se përdorimi i gjeneratorëve është tepër i kushtueshëm dhe se kompania nuk mund ta përballojë prodhimin në këtë mënyrë, ndërsa reduktimet, sipas tij, po ndodhin pothuajse çdo ditë. “Kryesisht operojmë vetëm në tregun e Kosovës për momentin. Jemi duke shikuar për tregje të tjera. Sfida për mungesën e energjisë elektrike është duke na shkaktuar shumë dëm, ku me gjenerator është kosto e papërballueshme për prodhimin. Domethënë, ne nuk mundemi me punuar me gjenerator. Ndërprerje kemi gati thuajse çdo ditë, ku është shumë problem edhe për prodhimin, edhe për punëtorët, edhe për të gjitha, për arsye se nuk po mundemi t’i përballojmë ndryshe”, ka potencuar ai.

Durmishi ka ngritur shqetësimin edhe për rritjen e kostove të prodhimit, duke thënë se çmimet e lëndës së parë dhe derivateve ndikojnë drejtpërdrejt në veprimtarinë e kompanisë. Ai ka kërkuar mbështetje për prodhuesit, duke përmendur edhe lehtësirat në zbatimin e TVSh-së si një nga mundësitë për uljen e barrës financiare. “Çmimi te kostot e prodhimit është duke ndikuar shumë, ku ka ndikuar edhe te lënda e parë, edhe te derivatet, sepse çdo gjë varet, pasi ne çdo gjë e kemi lëndë të parë, e kemi miellin, ku çdo gjë është e lidhur me derivatet. Ka ndikuar, por po presim një stabilizim të çmimeve të derivateve. Unë mendoj që ka plot lloje, plot mundësi për të na ndihmuar. Një ndër mundësitë është edhe zbatimi i TVSH-së, që ndikon shumë te ne si prodhues”, ka theksuar Durmishi.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka njoftuar se së shpejti…