Osmani: Marrëdhëniet me aleatët janë të domosdoshme për sigurinë kombëtare dhe të ardhmen euroatlantike të Kosovës
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për “Ekonomia Online”, ka deklaruar se marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë nuk janë vetëm pjesë e politikës së jashtme të Kosovës, por janë të domosdoshme edhe për sigurinë kombëtare, mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.
Ajo ka theksuar se edhe 27 vjet pas luftës, kufiri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përveç Policisë së Kosovës, vazhdon të ruhet edhe nga forcat aleate, përfshirë ushtrinë amerikane dhe ushtritë e vendeve të tjera të NATO-s, të cilat, sipas saj, rrezikojnë jetën së bashku me pjesëtarët e Policisë së Kosovës për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.
Osmani ka thënë se rëndësia e aleancave nuk lidhet vetëm me ndihmën që Kosova ka marrë gjatë viteve ’90 për arritjen e lirisë, apo me mbështetjen ndërkombëtare në vitin 2008 dhe në proceset e njohjeve e anëtarësimeve, por edhe me nevojat aktuale të shtetit.
“Natyrisht që marrëdhëniet me aleatët tanë nuk janë thjesht pjesë e marrëdhënieve tona ndërkombëtare, ato janë të domosdoshme edhe për sigurinë kombëtare të Kosovës, duke pasur parasysh që akoma edhe sot, 27 vite pas luftës, kufiri në mes të Kosovës dhe Serbisë, përveç prej policisë së Kosovës, djemve e vajzave më të mirë të këtij vendi, ruhet edhe nga forcat tona aleate, pra nga ushtria amerikane dhe ushtri të tjera të aleancës së NATO-s, të cilët rrezikojnë jetën së bashku me policinë tonë në mënyrë që të mbrohet sovraniteti dhe të mbrohet integriteti territorial i Kosovës. Pastaj për vitin 2008 e tutje kur na ndihmuan të arrijmë pavarësinë dhe njohjet e anëtarësimet, por po flasim edhe për ditën e sotme. Pra edhe sot e kësaj dite është e domosdoshme që këto aleanca t’i ruajmë, t’i kultivojmë edhe më tej, t’i thellojmë edhe më tej sepse është në interesin tonë strategjik dhe në interesin e sigurisë sonë kombëtare. Prandaj në radhë të parë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por pastaj edhe me shtete të tjera të Evropës e aleatët e tjerë brenda NATO-s, që nuk janë domosdo pjesë e Bashkimit Evropian, siç janë Mbretëria e Bashkuar, Turqia dhe të tjera, janë ekzistenciale për suksesin e Kosovës më tutje. Këto raporte janë të domosdoshme edhe për anëtarësimin tonë në organizata ndërkombëtare, në veçanti në NATO që është prioriteti numër një për Kosovën dhe pastaj edhe në Bashkimin Evropian. Sa më shumë që Kosova i trajton këto aleanca si të parëndësishme, aq më shumë do të largohet nga integrimi euroatlantik, nga mundësitë për t’u zhvilluar ekonomikisht dhe nga mundësitë për të qenë pjesë e barabartë e kombeve të lira në tryezat me rëndësi vendimmarrëse”, ka deklaruar Osmani.
Ish-presidentja ka vlerësuar se ruajtja, kultivimi dhe thellimi i marrëdhënieve me aleatët duhet të mbetet interes strategjik i Kosovës dhe pjesë e rëndësishme e sigurisë kombëtare.
Ajo ka përmendur në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet evropiane dhe aleatët e tjerë të NATO-s, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Turqinë.
Sipas Osmanit, këto raporte janë të domosdoshme edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, veçanërisht në NATO, të cilin e ka cilësuar si prioritetin numër një të vendit, si dhe për integrimin në Bashkimin Evropian.
“Sa më shumë që Kosova i trajton këto aleanca si të parëndësishme, aq më shumë do të largohet nga integrimi euroatlantik, nga mundësitë për t’u zhvilluar ekonomikisht dhe nga mundësitë për të qenë pjesë e barabartë e kombeve të lira në tryezat me rëndësi vendimmarrëse”, ka theksuar ajo.
Osmani ka bërë thirrje që të gjitha institucionet e Kosovës, e në veçanti krerët institucionalë, të angazhohen për mbajtjen e marrëdhënieve të afërta me aleatët dhe ndërtimin e besimit të ndërsjellë.
Ajo ka nënvizuar se besimi është elementi kryesor i çdo marrëdhënieje, si në raportet e brendshme, ashtu edhe në ato ndërkombëtare, duke shtuar se ndërtimi i tij krijon mundësi për arritjen e sukseseve të mëtejshme për Republikën e Kosovës.
Në fund, ish-presidentja ka bërë të ditur se angazhimi i saj vazhdon të jetë në drejtim të mirëmbajtjes së aleancave ndërkombëtare.
Ajo ka thënë se udhëton çdo muaj jashtë vendit për të mbrojtur të vërtetën historike të Kosovës në platforma të ndryshme ndërkombëtare dhe për të fuqizuar më tej raportet me aleatët.
“Pra është e domosdoshme që të gjitha institucionet e Kosovës, por natyrisht barra kryesore bie mbi krerët e institucioneve, të jenë sa më të afërt me këta aleatë dhe të punojnë afër në aso mënyrë që të ndërtohet besimi. Vazhdimisht e kam thënë që pjesa kryesore përbërëse e çdo relacioni, qoftë përbrenda, qoftë marrëdhënie ndërkombëtare, është besimi. Kur ndërtohet besimi, pastaj edhe mund të arrihen shumë suksese për Republikën e Kosovës dhe natyrisht angazhimi im si ish-presidente është që të mirëmbahen këto aleanca, prandaj edhe çdo muaj udhëtoj jashtë vendit për të mbrojtur të vërtetën historike të Kosovës në platforma të ndryshme ndërkombëtare dhe në të njëjtën kohë për t’i fuqizuar edhe më tej raportet me këta aleatë të cilët janë të domosdoshëm për interesin e qytetarëve tanë”, ka deklaruar Osmani.
Ajo ka thënë se Kosova ka shumë tema për të cilat duhet të arrijë unitet shtetëror dhe kombëtar, por marrëdhëniet me SHBA-në dhe shtetet e Evropës janë ndër çështjet ku një qëndrim i tillë është veçanërisht i domosdoshëm.
“Ka shumë tema për të cilat Kosova duhet të arrijë unitet shtetëror, unitet kombëtar, por njëra ndër to patjetër që është relacioni me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me shtetet e Evropës. Në të kaluarën, në qoftë se kthehemi në kohën rreth shpalljes së pavarësisë dhe atëherë Kosova ka pasur pushtet dhe ka pasur opozitë. Megjithatë për këto tema ka pasur unitet të plotë. Mua më kujtohet shumë mirë përgatitjet që i kemi bërë në atë kohë kur kam qenë në kabinetin e presidentit Sejdiu. Përgatitjet që i bënim rreth shpalljes së pavarësisë aty kanë qenë të gjithë të të involvuar, secili e ka dhënë kontributin e vet në mënyrë që ky proces të jetë i suksesshëm. Pastaj kur e kishim rastin në GJND, ne si ekip koordinues punonim me të gjitha partitë politike, edhe ato që ishin në opozitë, me mediat, me shoqërinë civile dhe secili e ka dhënë një kontribut të madh në mënyrë që në fund ta fitojmë këtë rast në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, që ka qenë një prej sukseseve më të mëdha historike”, ka thënë ajo për “Ekonomia Online”.
Osmani ka përmendur edhe periudhën 2017-2019, kur në Kosovë ishte diskutuar ideja e ndryshimit të kufijve, duke rikujtuar se në atë kohë Ramush Haradinaj ishte kryeministër, ndërsa ajo dhe subjekti i saj politik ishin në opozitë.
“Edhe tani, sa i përket raporteve me Shtetet e Bashkuara dhe me shtetet evropiane, shtete të tjera aleate anekënd botës, është e domosdoshme që të ketë qëndrim të unifikuar shtetëror dhe natyrisht kjo mund të arrihet brenda parlamentit, mirëpo mund të ketë edhe instanca që përfshijnë të gjitha institucionet tjera shtetërore, në mënyrë që secili ta japë një kontribut të vetin. Mua më kujtohet edhe viti rreth 2017-2019 kur kishte, ju e dini, një tendencë për ndryshim të kufijve. Në atë kohë zoti Haradinaj ka qenë kryeministër, ne kemi qenë në opozitë, por meqenëse e kishim qëndrimin e njëjtë kundër ndryshimit të kufijve, ne si opozitë bashkëpunonim me qeverinë për ta parandaluar një ide të tillë të rrezikshme dhe kundër interesave të Kosovës”, ka thënë Osmani.



