Haradinaj në Deçan, para nxënësve flet për historinë, sakrificën e UÇK-së dhe rrugëtimin drejt lirisë
Në prag të festave kombëtare të Nëntorit, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan, ku ka zhvilluar një bashkëbisedim me nxënësit për historinë dhe rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe shtetndërtimit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haradinaj ka bërë me dije se gjatë takimit kanë diskutuar për përpjekjet ndër breza, të cilat, sipas tij, janë kurorëzuar falë sakrificës së djemve dhe vajzave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krye.
“Në prag të festave kombëtare të Nëntorit, sot pata nderin që së bashku me nxënësit e Gjimnazit ‘Vëllezërit Frashëri’ në Deçan, të bashkëbisedoj hapur për të vërtetën tonë historike dhe përpjekjet ndër breza deri te liria dhe shtetndërtimi, të cilat u kurorëzuan falë sakrificës së djemve dhe vajzave të UÇK-së, si dhe ndihmës së aleatëve tanë, në krye me ShBA-në. Po ashtu, shfrytëzova rastin që ta falënderoj drejtorin Hamid Qorraj, menaxhmentin dhe arsimtarët për punën e tyre në shërbim të edukimit të brezave të rinj. Gjatë vizitës pata kënaqësinë të shoh nga afër edhe ekspozitën dhe kabinetet e shkollës”, ka theksuar Haradinaj.



