Pjesëtari i FSK-së përfundon me sukses kursin e mbrojtjes së afërt në Britani
Valdrin Rrecaj nga Mbrojtja e Afërt e Policisë Ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës ka përfunduar me sukses Kursin e Mbrojtjes së Afërt në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas FSK-së, ky kurs, që ka zgjatur nëntë javë, ka qenë një trajnim intensiv dhe me kërkesa të larta fizike e profesionale, ku nga 30 pjesëmarrës që e kanë nisur trajnimin, vetëm 14 kanë arritur ta përfundojnë me sukses.
“Gjatë këtij programi, pjesëmarrësit janë angazhuar në skenarë të ndryshëm operacionalë, përfshirë edhe ushtrime të evakuimit me helikopter. Pjesëtari i FSK-së e ka përfunduar kursin me rezultate të larta dhe me vlerësim të shkëlqyeshëm nga instruktorët, duke dëshmuar nivel të lartë profesionalizmi, përkushtimi dhe gatishmërie”, ka bërë të ditur FSK-ja.
Ky trajnim, i realizuar në bashkëpunim me Ushtrinë Britanike dhe Policinë Ushtarake Mbretërore (Royal Military Police), dëshmon partneritetin dhe bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Policisë Ushtarake të FSK-së dhe institucioneve ushtarake britanike.



