VV-ja diskuton zgjedhjet e brendshme, mbetet e paqartë nëse Kurti synon një mandat të ri
Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sonte një mbledhje të përbashkët me drejtuesit e qendrave të saj në Kosovë, ku është diskutuar për zhvillimet aktuale politike dhe procesin e zgjedhjeve të brendshme të partisë.
Në takim kanë marrë pjesë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri Albin Kurti, sekretari organizativ Alim Rama, kryetarja e organizatës Gratë për Vetëvendosje, njëherësh kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, si dhe koordinatori i Rinisë për Vetëvendosje, Libron Kelmendi.
Sipas njoftimit të publikuar nga partia, zgjedhjet e brendshme janë shpallur më 1 nëntor me vendim të Këshillit të Përgjithshëm dhe procesi pritet të përmbyllet brenda gjashtë muajve.
Aktualisht, qendrat e Vetëvendosjes janë duke përgatitur kalendarët zgjedhorë, duke përditësuar listat e anëtarësisë dhe duke ndërmarrë hapat për organizimin e këtij procesi.
Në njoftim thuhet se zgjedhjet e brendshme synojnë ripërtëritjen e strukturave, përfshirjen e gjeneratave të reja dhe profesionistëve, si dhe zgjerimin e pjesëmarrjes së anëtarëve në jetën organizative të partisë.
Procesi do të zhvillohet nëpër lagje dhe fshatra të komunave të Kosovës.
Megjithatë, në njoftimin e partisë nuk është bërë e ditur nëse Albin Kurti do të rikandidojë për një mandat të ri në krye të Lëvizjes Vetëvendosje.



