Grabitje e madhe në Prishtinë: Hajnat dyshohet se vodhën mbi 275 mijë euro në kompaninë “M-Technologie”
Një vjedhje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së hënës në kompaninë “M-Technologie”, në fshatin Lebanë të Prishtinës, ku persona ende të paidentifikuar kanë arritur të marrin 275 mijë e 300 euro para të gatshme.
Sinjali ka raportuar se ngjarja ka ndodhur më 23 nëntor, në intervalin kohor nga ora 02:00 deri në 04:30 të mëngjesit.
Të dyshuarit fillimisht kanë thyer derën kryesore të objektit të kompanisë, ndërsa pasi kanë hyrë brenda, kanë vazhduar duke thyer edhe tetë dyer të tjera të zyrave.
Objektiv i tyre kanë qenë dy sefe, njëra në zyrën e zëvendësdrejtorit dhe tjetra në zyrën e kontabilitetit.
Nga sefi në zyrën e zëvendësdrejtorit, autorët kanë marrë 100 mijë euro, ndërsa nga sefi tjetër, në zyrën e kontabilitetit, kanë vjedhur 175 mijë e 300 euro.
Në total, dëmi i shkaktuar nga kjo vjedhje arrin në 275 mijë e 300 euro, ndërsa në objekt kanë mbetur nëntë dyer të thyera.
Rasti është raportuar në Policinë e Kosovës rreth orës 04:30 të mëngjesit nga Rrustem Pacolli, rreth 48-vjeçar.
Deri më tani, personat e dyshuar për këtë vjedhje nuk janë identifikuar.
Ndërkohë, në lidhje me rastin është deklaruar edhe Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh.
Megjithatë, aty nuk janë dhënë shumë detaje.
“Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se persona të panjohur me forcë kanë depërtuar në një lokal privat dhe kanë arritur të vjedhin nga dy arka para me vlerë 275.300 €”, thuhet në raport.



