Prokuroria Themelore në Pejë dhe Policia Rajonale diskutojnë për zbardhjen e vrasjeve të pazgjidhura të pasluftës
Ushtruesja e Detyrës së Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Valbona Disha-Haxhosaj, së bashku me prokurorët e Departamentit për Krime të Rënda, ka mbajtur takim me Drejtorin e ri të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, Faton Alija, dhe zinxhirin komandues të këtij institucioni.
Në këtë takim, të udhëhequr nga u.d. Kryeprokurorja Disha-Haxhosaj, temë kryesore e diskutimit ishte trajtimi dhe zbardhja e rasteve të vrasjeve të pazgjidhura të pasluftës, të cilat kanë ndodhur në territorin në kompetencë të Prokurorisë Themelore në Pejë.
Me këtë rast, u.d. Kryeprokurorja Disha-Haxhosaj kërkoi nga prokurorët e kësaj prokurorie dhe zinxhiri komandues i Policisë Rajonale që të intensifikojnë bashkëpunimin dhe koordinimin institucional, me qëllim të ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e këtyre rasteve, identifikimin e kryerësve të veprave penale dhe vënien e tyre para drejtësisë.
Ajo theksoi rëndësinë e angazhimit të përbashkët të prokurorëve të shtetit dhe hetuesve policorë, si dhe nevojën që çdo informacion dhe provë relevante të trajtohet me seriozitetin dhe profesionalizmin e duhur.
Prokuroria Themelore në Pejë inkurajon të gjithë qytetarët, familjarët e viktimave dhe personat e tjerë që posedojnë informacione të cilat mund të ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të këtyre rasteve, që të bashkëpunojnë me Prokurorin e Shtetit dhe Policinë e Kosovës.
Prokuroria Themelore në Pejë mbetet e përkushtuar në bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve ligjore për zbardhjen e këtyre rasteve dhe vendosjen e drejtësisë.



