A mund ta shpëtojë emigracioni një botë që po shpopullohet?
Nga Michael Geruso dhe Dean Spears, The New York Times
Miryang është një qytet me rreth 100 mijë banorë në Korenë e Jugut, ku norma e lindshmërisë ka rënë nën një fëmijë për grua. Reparti i fundit i maternitetit sapo është mbyllur. Dy mjekët që punonin aty janë 73 dhe 64 vjeç. Mbajtja hapur e repartit nënkuptonte që këta mjekë duhej të ishin në gatishmëri ditë e natë, edhe pse në shumicën e ditëve dhe netëve nuk kishte foshnja për të ardhur në jetë. Foshnja do të vazhdojnë të lindin edhe pas mbylljes. Ato do të kenë ende nevojë për kujdes. Gratë shtatëzëna do të transportohen diku tjetër tjetër për të lindur dhe nëse gjatë rrugës del një emergjencë që kërkon operacion cezarian, personeli i ambulancës mund të ofrojë ndihmë, por jo të kryejë operacionin.
Drakotrypa, një fshat në Greqi, dikur kishte tre shkolla. Në vitet 1960 kishte më shumë se 200 nxënës. Por pas dekadash të shenjuara nga rënia e lindjeve dhe emigracionit, shkolla e fundit fillore e Drakotrypa-s u mbyll në vitin 2025. Disa ish-nxënës u kthyen për ceremoninë. Të tjerë morën pjesë përmes video-telefonatave. Ata pak nxënës të fundit recituan një poezi lamtumire.
Uruguai, ku norma e lindshmërisë ka rënë në rreth 1.4 fëmijë për grua, përballet me një të ardhme me më shumë pensionistë dhe më pak punëtorë. Qeveria shpenzonte tashmë një pjesë shumë të madhe të ekonomisë për pensionet, pothuajse 10 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. Për këtë arsye, parlamenti rriti me pesë vjet moshën e daljes në pension. Ishte një betejë politike. Sindikatat detyruan mbajtjen e një referendumi kombëtar, me shpresën për ta zhbërë ndryshimin. Nuk ia dolën. Tani brezat më të rinj të punëtorëve do të mbajnë mbi supe një pjesë më të madhe të kostos së një shoqërie që po plaket.
Shpopullimi nuk është një bekim për t’u festuar. Është një sfidë që duhet përballuar. Dhe po vjen. Në shumë vende ka tashmë më pak foshnja sesa 5-vjeçarë, më pak 5-vjeçarë sesa 10-vjeçarë dhe më pak 10-vjeçarë sesa 15-vjeçarë. Kjo është e vërtetë për Shtetet e Bashkuara, por edhe për Argjentinën, Evropën, Indinë, Japoninë dhe vende të tjera.
Nuk ka arsye të presim se do të ketë ndonjë bum lindjesh tani afër. Politikat qeveritare pronataliste, bonuset për lindjet, lehtësitë tatimore, subvencionet për kujdesin ndaj fëmijëve, madje edhe masat detyruese, nuk kanë prodhuar askund rritje të mëdha dhe të qëndrueshme të lindshmërisë. Dhe edhe nëse, në ndonjë brez të largët, njerëzit do të zgjidhnin të kishin familje më të mëdha, kjo nuk do t’i zgjidhte problemet e sotme. Më shumë fëmijë në të ardhmen nuk do të plotësojnë nevojën e sotme për ndërtues, novatorë, kujdestarë apo taksapagues. Ka ardhur koha të pranojmë se bota po shkon drejt shpopullimit dhe të përgatitemi për këtë realitet.
Përgjigjja e parë është e lehtë për t’u formuluar, edhe pse e vështirë për t’u zbatuar. Vendet që kanë problem mungesën e njerëzve duhet të mirëpresin më shumë emigrantë, përmes kanaleve si të përkohshme ashtu edhe të përhershme. Një foshnjë e lindur sot nuk do të punojë për dekada. Por një i rritur i lindur diku tjetër mund të kontribuojë menjëherë, duke përmirësuar në të njëjtën kohë edhe jetën e vet.
Rëndësia e kësaj çështjeje nuk është vetëm ekonomike. Në Shtetet e Bashkuara, rreth tre në dhjetë mjekë dhe punonjës shërbimi janë emigrantë. Studiuesit kanë zbuluar se, kur emigracioni në SHBA është ngadalësuar, cilësia e kujdesit mjekësor është përkeqësuar: më pak punonjës me kohë të plotë në shtëpitë e të moshuarve do të thotë më shumë infeksione, më shumë rishtrime në spital dhe më shumë vdekje.
Reformimi dhe zgjerimi i rrugëve ligjore për punëtorët e huaj do të kërkojë si rregulla të reja, ashtu edhe kapacitete të reja institucionale për ta administruar migracionin në mënyrë njerëzore dhe për ta nxjerrë atë nga zona gri. Por pengesa e parë dhe më e madhe është politike. Popullsia e Evropës, për shembull, tashmë po tkurret. Megjithatë, parti kundër emigracionit, si AfD-ja e ekstremit të djathtë në Gjermani, vazhdojnë të fitojnë vota.
Edhe migracioni, megjithatë, nuk do të jetë një zgjidhje përgjithmonë në një botë ku popullsia në moshë pune po tkurret pothuajse kudo. Normat e lindshmërisë në Amerikën Latine kanë rënë rreth dy herë më shpejt sesa në Shtetet e Bashkuara gjatë tri dekadave të fundit, nga 3.2 lindje për grua në vitin 1990 në 1.8 sot. Në fund, edhe vendet që sot dërgojnë emigrantë do të përballen me problemin e mungesës së njerëzve.
Komunitetet duhet të vendosin që tani se si do t’i reduktojnë dhe bashkojnë shërbimet. Shpopullimi do të bëjë që shkolla dhe klinika të mbyllen, por cilat? Asnjë lagje nuk do të ofrohet vullnetarisht për të qenë e para. Askush nuk do të pranojë me dëshirë të udhëtojë më larg për shërbimet publike. Nuk ka arsye të presim që drejtësia të vijë vetvetiu.
Mbajtja në funksion e shërbimeve në një shkallë më të vogël kushton më shumë dhe jep më pak. Urgjencat që u shërbejnë popullsive të vogla janë të shtrenjta, kanë nevojë për subvencione për të qëndruar hapur dhe janë më pak efikase në shpëtimin e jetëve. Sistemet më të vogla të ujësjellësit shpenzojnë më shumë për çdo litër dhe ofrojnë ujë më të ndotur. Kur numri i nxënësve bie, kostoja për nxënës e ofrimit të arsimit rritet ndjeshëm.
Në një moment të caktuar, ajo që është e shtrenjtë bëhet e pamundur.
Prandaj do të mbyllen spitale, së bashku me biblioteka dhe shërbime të tjera publike e private që nuk kanë më mjaftueshëm përdorues, klientë apo qytetarë. Shkollat tashmë po përballen me aritmetikën e lindshmërisë së ulët. Kjo sepse rruga nga më pak lindje te më pak nxënës zgjat vetëm disa vjet. Lindjet në SHBA ranë nga 4.3 milionë në vitin 2007 në 3.6 milionë në vitin 2025.
Përparimet teknologjike do të lehtësojnë disa prej kufizimeve gjeografike lokale. Më shumë shërbime bankare dhe blerje mund të bëhen online pasi dyqanet fizike të mbyllen. Ndoshta do të mësohemi me më pak ndërveprime ballë për ballë. Telefonatat me video me një mjek në distancë, ose një diagnozë nga inteligjenca artificiale, mund të zëvendësojnë një pjesë të asaj që bën një mjek. Por ndonjëherë ke nevojë që një person të të prekë nyjet limfatike.
Komunitetet më të privilegjuara mund të jenë në gjendje t’i shtyjnë mbylljet drejt një lagjeje apo një grupi tjetër. Por ato mbyllje dhe humbje gjithsesi do t’i bien dikujt. Aktualisht, bashkimi i shkollave po shkakton përplasje politike nga Teksasi në Vermont. Në Kinë, ku mbyllja e shkollave nisi dekada më parë, procesi ka dëmtuar familjet rurale, pakicat etnike dhe vajzat. Ajo që komuniteti juaj duhet të mbajë dhe ajo që duhet të mbyllë mund të mos përputhet me nevojat e një komuniteti tjetër. Por, cilado qofshin hollësitë, është më mirë të planifikohet se çfarë mund të ndahet mes komuniteteve dhe të vendoset se cilat shërbime duhet të mbyllen, sesa të pritet që një interes i ngushtë të veprojë i pari.
Vend pas vendi, qeveritë do të duhet të marrin vendime të vështira për atë se kush do të punojë më gjatë, kush do të paguajë më shumë dhe kush do të marrë më pak, me shumë gjasë të tria bashkë. Ekspertët kanë qenë të qartë për këtë prej dekadash. Shteti modern i mirëqenies është ndërtuar për një botë më të re. Fondi i pensioneve të Sigurimeve Shoqërore në SHBA parashikohet të shterojë deri në kohën kur një fëmijë i lindur sot të nisë klasën e parë. Kjo do të shkaktojë automatikisht një ulje prej 22 për qind të përfitimeve, nëse Kongresi nuk ndërhyn.
Kostot fiskale të ndryshimit të popullsisë nuk kufizohen vetëm te pagesat e pensioneve apo përfitimet shëndetësore. Deri në vitin 2060, më shumë se gjashtë milionë amerikanë mbi 50 vjeç nuk do të kenë as partner, as fëmijë, as vëlla apo motër, as prind të gjallë, nga pothuajse dy milionë që ishin në vitin 2015.
Me më pak familjarë që mund të marrin përsipër përgjegjësitë, të gjithë duhet të përgatiten për më shumë punë kujdesi të paguar. Dhe nëse shoqëria nuk është e gatshme ta financojë këtë përmes taksave më të larta, kush do ta bëjë? I afërmi i fundit, si zgjidhje e paracaktuar? Askush? Kontributet e vlefshme familjare të epokave të mëparshme janë dhënë nga dashuria dhe detyrimi. Kjo punë ka qenë e papaguar, prandaj nuk është shfaqur në llogaritë kombëtare. Por mungesa e saj së shpejti do të shfaqet, ose në buxhete, ose në kujdesin që nuk do të ofrohet.
Financimi i një kujdesi më të madh afatgjatë dhe për personat me aftësi të kufizuara do të thotë se boshllëku fiskal është edhe më i thellë nga sa tregojnë bilancet aktuale të pensioneve. Dhe më shumë shpenzime publike nuk do të mjaftojnë pa një infrastrukturë të re rregullatore që t’i bëjë ato të drejta dhe efikase. Do të jetë e vështirë që puna e kujdesit të konkurrojë për vëmendje me rreziqet nga inteligjenca artificiale, luftërat e huaja dhe dobësimin e demokracisë. Por një qasje e re ndaj mënyrës se si kujdesemi për njëri-tjetrin, njëkohësisht e dhembshur dhe e drejtë, do të ishte një arritje për t’u festuar.
Pavarësisht shpresave tona, përshtatja me shpopullimin nuk do të jetë as e lehtë, as automatike. Megjithatë, ekziston mundësia që politika, krijimtaria, largpamësia dhe dhembshuria jonë të ngrihen në nivelin e sfidës dhe t’i marrin mirë vendimet e vështira. Nëse njerëzimi gjen zëvendësues për një pjesë të madhe të asaj që njerëzit bëjnë dhe japin, kjo do të ishte një lloj suksesi. Por nuk do të ishte gjithçka që ka rëndësi.
Humbja më e madhe në një botë që tkurret mund të jetë edhe ajo që vërehet më pak. Ekzistojnë miliarda jetë që mund të ishin të mira, shumë prej tyre po aq të mira sa jeta juaj, shumë të tjera edhe më të mira, të cilat nuk do të jetohen në një të ardhme të shpopulluar.
Prandaj, përtej pyetjeve praktike për buxhetet dhe bashkimin e shërbimeve, ekzistojnë edhe pyetje për atë që ka vërtet rëndësi. A ka rëndësi nëse miliarda njerëz më pak do të kenë mundësinë të përjetojnë të ardhmen? Kjo është një pyetje që secili prej nesh duhet ta shqyrtojë. Njerëzit, jetët dhe përvojat e tyre, kanë vlerë në vetvete. Në një të ardhme me shpopullim, mund të arrijmë shumë gjëra. Por nuk ka asnjë mënyrë për t’u përshtatur me një jetë që nuk është jetuar.



