Botohet libri “Dy shtëpi në zemrën time” i autores Eurela Hajdari Ugzmaili
Shtëpia botuese “Armagedoni” ka nxjerrë nga shtypi librin ri me tregime për fëmijë, “Dy shtëpi në zemrën time”, të autores Eurela Hajdari Ugzmaili.
Ky libër i ilustruar, dedikuar posaçërisht fëmijëve të diasporës dhe bashkëmoshatarëve të tyre në vendlindje, sjell pesë tregime të ndjera që ndjekin rrugëtimin emocional dhe kulturor të Inës – një vajze të vogël e cila rritet larg Kosovës dhe mëson ta ndërtojë jetën e saj mes dy vendeve dhe dy kulturave.
Në tregimet “Gjuha e gjyshes”, “Valixhja e pushimeve”, “Dy shtëpi në zemrën time”, “Shkolla e së shtunës” dhe “Miku i ri”, autorja trajton tema të afërta me përditshmërinë e fëmijëve në mërgim: mallin për gjyshërit dhe oborrin e vendlindjes, sfidat e ruajtjes së gjuhës shqipe, emocionet e shkollës plotësuese të së shtunës, si dhe vlerën e miqësisë dhe solidaritetit.
Duke u mbështetur në përvojën e saj personale dhe profesionale, Eurela Hajdari Ugzmaili u përcjell lexuesve të vegjël një mesazh të qartë e frymëzues: gjuha shqipe ruhet duke e folur, lexuar e dashur pa frikë nga gabimet, ndërsa të kesh dy shtëpi në zemër do të thotë të kesh dyfish më shumë kujtime, njerëz dhe dashuri.
Libri “Dy shtëpi në zemrën time” është një mjet i vlefshëm letrar dhe edukativ për familjet shqiptare kudo në botë, për mësuesit e shkollave shqipe në diasporë si dhe për bibliotekat shkollore.



