Roman i ironisë, groteskut dhe paradokseve

25 nëntor 2026 | 09:18

Izet Abdyli

Albin Mehmeti, “Dashavidi”, botues “Armagedoni”, Prishtinë, 2026

Grotesku, ironia, sarkazma e përplot paradokse të aktualitetit shpërfaqen në romanin satirik “Dashavidi” të shkrimtarit Albin Mehmeti. Dukuritë devijuese në shoqëri, në veçanti sistemi i stërkequr i pushtetit, janë lajtmotivet kryesore të këtij romani satirik.

Narracioni brilant i autorit të bën kureshtar të mos i ndahesh leximit deri në fund. Ngjarjet e romanit, sa çel e mbyllë sytë, marrin përmasa dramatike. Lufta për pushtet nuk zgjedh mjete. Egoja e sëmurë e individëve për të arritur në majat e pushtetit, bën që të sakrifikohen njerëzit e ditur e profesionistë, vetëm që të realizohen ambiciet e atij që synon majat e pushtetit. Turma e qytetarëve shpesh bie pre e këtyre manipulimeve si rrjedhojë e vetëbesimit të tepruar në liderin e tyre, pa i ditur prapaskenat e marrëzitë e tjera të përdorura për të arritur qëllimin e tyre final. Sado që ngjarjet zhvendosen në një kohë tjetër, ato me shumëçka ngjasojnë me realitetin e kohës që po jetojmë. Tablotë e romanit na japin pamje të përditshmërisë sonë sado që autori i zhvendos në një vend fiktiv që ai ka zgjedhur ta emërtojë si Dashamir.

Ironia që përcjell tekstin pothuaj në çdo kapitull të romanit është përdorur me mjeshtri e finesa të veçanta. Dinakëria, përulësia, cinizmi, janë veti që mbartin disa nga personazhet e romanit. “Mashtrimet” e kryetarëve nganjëherë marrin edhe përmasa tragjike, përderisa e vërteta del në shesh dhe prapaskenat e njerëzve për të ardhur në pushtet dalin sheshit, ndaj edhe përmbyllja e romanit rezulton me një përmbysje të të këqijave që me vite kishin mbërthyer Dashamirin, dhe triumfin e të drejtës dhe forcave progresive.

Gjuha e pasur me një leksik të rrallë, teknika e strukturimit të romanit, narracioni i veçantë dhe elemente të tjera dëshmojnë që autori i romanit tashmë ka krijuar profilin e një prozatori të suksesshëm.

Me këtë libër shkrimtari Albin Mehmeti ka pasuruar fondin e letërsisë shqipe me këtë roman satirik, i cili kohën e fundit po i mungon letërsisë shqipe që krijohet në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Shtëpia botuese “Armagedoni” ka nxjerrë nga shtypi librin ri me…