Dogana e Kosovës zbulon dërgesë postare me 4 161 copë stoli argjendi
Dogana e Kosovës, gjatë procedurave të rregullta të kontrollit dhe selektimit të dërgesave në sektorin e Aeroportit – Kargo, ka zbuluar një rast të tentimit për shmangie të detyrimeve doganore përmes deklarimit të pasaktë të një dërgese postare.
Dërgesa përbëhej nga një pako, e cila në dokumentacionin shoqërues ishte deklaruar si “pjesë të imta metali për testim”.
Për shkak të dyshimeve për mospërputhje ndërmjet përshkrimit të deklaruar dhe të dhënave të dërgesës, zyrtarët doganorë e kanë selektuar pakon për kontroll me pajisjen e skanimit, si dhe për ekzaminim fizik në zonën doganore të Aeroportit – Kargo.
Pas analizimit të pamjeve të skanimit dhe ekzaminimit fizik, është konstatuar se përmbajtja e pakos nuk përputhej me deklarimin e bërë. Në vend të pjesëve metalike për testim, brenda saj janë gjetur 4,161 copë stoli argjendi, përfshirë:
1 331 unaza;
358 qafore;
844 byzylykë;
1 001 varëse;
503 palë vathë;
124 komplete.
Pas vlerësimit, është përcaktuar se vlera doganore reale e mallit, pa përfshirë taksat, arrin në 25,861.39 euro, ndërsa shuma e detyrimeve doganore që është tentuar të shmangen arrin në 7 706.69 euro.
Për shkak të mosdeklarimit të saktë të llojit, sasisë, peshës dhe vlerës së mallit, rasti është trajtuar si kundërvajtje doganore.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës, shmangies së detyrimeve doganore dhe të gjitha formave të tjera të shkeljeve doganore, duke përfshirë edhe importin e mallrave të ndaluara. Përmes kontrolleve të bazuara në menaxhimin e riskut dhe përdorimit të pajisjeve moderne të kontrollit, Dogana synon të sigurojë zbatimin e legjislacionit, mbrojtjen e interesave financiare të vendit dhe konkurrencën e drejtë në treg.



