Bajrami rendit premtimet e parealizuara të Kurtit: Ku shkuan 20 miliardë euro?
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mospërmbushjen e premtimeve të dhëna gjatë gjashtë vjetëve të qeverisjes.
Përmes një postimi në “Facebook”, Bajrami ka ngritur një sërë pyetjesh lidhur me projektet infrastrukturore, çerdhet, rezervat shtetërore, energjinë dhe shëndetësinë, duke vënë në pikëpyetje rezultatet e qeverisjes së Kurtit.
Ajo ka pyetur nëse Kurti, në raportin e tij, ka përmendur ndërtimin e 160 çerdheve, përfundimin e rrugëve për Podujevë, Pejë e Mitrovicë, si dhe përfundimin e rrugës për Gjilan.
“Çka kish raportu Albini për gjashtë vjet? A kish raportu se i ka ndërtu 160 çerdhe? A kish raportu se i ka përfundu rrugët për Podujevë, Pejë e Mitrovicë?”, ka shkruar Bajrami.
Deputetja ka përmendur edhe premtimet për luftimin e korrupsionit dhe mafisë energjetike, furnizimin e spitaleve me barna dhe rritjen e rezervave shtetërore.
Ajo ka ngritur gjithashtu çështjen e premtimeve për bashkimin kombëtar, hekurudhat, digat dhe kërkimfaljen nga Serbia.
“Kurti për gjatë gjashtë vjetëve i ka pasë në dispozicion rreth 20 miliardë euro. Çka kish raportu se ka përfundu me gjithë ato taksa që kanë pagu qytetarët?”, ka shkruar Bajrami.
Bajrami ka bërë të ditur se ndodhet në Forumin Ekonomik të Riinvestit, ku, sipas saj, po diskutohen problemet reale të vendit.
Mes tjerash, ajo ka vënë në pikëpyetje përmbushjen e premtimeve të Qeverisë, duke pyetur se çfarë presin qytetarët përveç mundësisë për të emigruar në Gjermani.



