Haxhiu: Nuk do të lejoj që gjuha seksiste të bëhet pjesë e debatit parlamentar
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kritikuar gjuhën seksiste dhe sulmet me të cilat përballen gratë në politikë, duke theksuar se nuk do të lejojë që fyerjet dhe poshtërimet mbi baza gjinore të trajtohen si pjesë e zakonshme e debatit parlamentar.
Këto deklarata Haxhiu i ka bërë në Asamblenë e Grave Parlamentare dhe Asambleiste, të organizuar nga Grupi i Grave Deputete, në hapje të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, me temën “Të sigurojmë drejtësi, të mbrojmë të mbijetuarat dhe t’i japim fund pandëshkueshmërisë”.
Haxhiu ka thënë se gratë në politikë vazhdojnë të përballen me sulme dhe fyerje që nuk lidhen me qëndrimet e tyre politike, por me pamjen, trupin, moshën dhe jetën private.
“Një çështje tjetër që lidhet drejtpërdrejt me pozitën e grave në shoqëri është mënyra se si trajtohen ato në jetën publike, përfshirë këtu edhe gratë në politikë. Gratë në politikë vazhdojnë të përballen me fyerje e sulme që kanë të bëjnë me pamjen, me trupin e tyre, me moshën apo me jetën e tyre private. Një burrë mund të kritikohet ashpër për qëndrimet e tij politike, ndërsa një grua, krahas qëndrimeve, shpesh gjykohet edhe për të drejtat e saj për të qenë aty”, ka thënë Haxhiu.
Ajo është zotuar se gjatë kohës sa do të jetë në krye të Kuvendit nuk do të lejojë që gjuha seksiste të normalizohet në institucionin ligjvënës, duke paralajmëruar ndërhyrje ndaj çdo fyerjeje dhe poshtërimi me bazë gjinore, pa marrë parasysh përkatësinë politike të deputetëve.
“Për sa kohë e drejtoj Kuvendin nuk do të lejoj që gjuha seksiste të trajtohet si pjesë e zakonshme e debatit parlamentar. Le të më quajnë arrogante, le të më quajnë e ashpër, unë do të ndërhyj ndaj fyerjeve dhe poshtërimeve mbi baza gjinore, pa dallim partie. Për të gjitha partitë politike do të vlejë njësoj. Gjithashtu do të angazhohem që Kodi i Etikës të përcaktojë qartë përgjegjësinë dhe pasojat për sjelljet e tilla”, ka theksuar kryetarja e Kuvendit, raporton “Ekonomia Online”.
Haxhiu ka kërkuar që i njëjti standard të zbatohet edhe në kuvendet komunale, ku, sipas saj, gjuha seksiste ndaj grave asambleiste vazhdon të jetë shqetësuese.
Ajo ka thënë se ka qenë dëshmitare e rasteve kur gratë në kuvendet komunale përballen me gjuhë fyese dhe seksiste, duke bërë thirrje që ato të kenë mundësi t’i ushtrojnë funksionet e tyre politike pa u sulmuar për shkak të gjinisë.
“Do të dëshiroja që këtë standard ta forcojmë edhe në kuvendet komunale. Unë kam parë, kam dëgjuar dhe jam dëshmitare e gjuhës seksiste që përdoret edhe në kuvendet komunale ndaj asamblisteve tona pa dallim partie. Gratë duhet të kenë mundësi të marrin pjesë në politikë, ku flasin dhe të kundërshtojnë pa u përballur me sulme për shkak të gjinisë. Prandaj, më konsideroni aleate, konsiderojeni edhe bordin e grave deputete aleate në adresimin e këtyre shqetësimeve dhe këtyre sfidave të përbashkëta”, është shprehur ajo.
Kryetarja e Kuvendit e ka vlerësuar bashkëpunimin e Grupit të Grave Deputete me organizatat partnere, duke theksuar se dallimet politike nuk duhet të pengojnë angazhimin e përbashkët për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurisë së grave.
“Në këtë punë pra, Grupi i Grave Deputete është partner i rëndësishëm, e vlerësoj bashkëpunimin e grupit të grave edhe me organizatat partnere. Ne mund të kemi qëndrime shumë të ndryshme politike, por kjo nuk na pengon që të merremi seriozisht me sigurinë e grave, me të drejtat e tyre dhe me përgjegjësinë e institucioneve ndaj tyre”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka theksuar edhe rëndësinë e përfshirjes së burrave në këtë përpjekje, duke kërkuar që ata që mbajnë përgjegjësi publike të jenë më të pranishëm në diskutimet për barazinë gjinore dhe më të vendosur në kundërshtimin e gjuhës që poshtëron gratë.
“Edhe burrat që mbajnë përgjegjësi publike kanë rol të rëndësishëm në këtë përpjekje. Dua t’i shoh më të pranishëm në këto diskutime dhe më të vendosur për ta kundërshtuar gjuhën dhe sjelljen që e poshtëron gruan, edhe kur ajo vjen nga rrethi i një partie tjetër”, ka shtuar Haxhiu.



