ATK-ja shton kontrollet ndaj bizneseve që shesin online
Nga rreth 60 vizita dhe inspektime të realizuara në terren ndaj bizneseve që ushtrojnë veprimtari tregtare përmes platformave online dhe shërbimeve postare, janë evidentuar 51 raste me parregullsi të natyrave të ndryshme tatimore, përfshirë ushtrimin e veprimtarisë ekonomike nga biznese të paregjistruara, mosdeklarimin e punëtorëve të punësuar, si dhe shitjen e mallrave pa lëshuar kuponë fiskalë.
Nga këto aktivitete, 36 raste janë rekomanduar për vlerësim dhe trajtim përmes sistemit ZGjONA, ndërsa janë shqiptuar 24 gjoba. Këto aktivitete janë realizuar nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), në bashkëpunim me institucionet e tjera relevante, si pjesë e angazhimit për mbikëqyrjen e bizneseve që shesin online dhe formalizimin e këtij sektori, i cili vitet e fundit ka shënuar zhvillim dhe përhapje të madhe në vend.
Përkundër numrit të konsiderueshëm të bizneseve që tashmë janë të regjistruara dhe operojnë në mënyrë të formalizuar, tregu vazhdon të karakterizohet edhe nga subjekte që ushtrojnë veprimtari ekonomike përmes rrjeteve sociale dhe platformave të ndryshme online, pa i përmbushur të gjitha obligimet ligjore dhe tatimore.
ATK-ja rikujton se çdo individ që ushtron veprimtari ekonomike, pavarësisht mënyrës se si e zhvillon atë, është i obliguar ta regjistrojë biznesin, t’i formalizojë punëtorët, t’i deklarojë të ardhurat dhe t’i paguajë obligimet tatimore sipas legjislacionit në fuqi. Shitja përmes internetit apo shpërndarja e produkteve përmes shërbimeve postare nuk përbën përjashtim nga këto obligime.
ATK-ja do të vazhdojë ta ketë në fokus të veçantë këtë sektor, duke ndërmarrë kontrolle të vazhdueshme në bashkëpunim me institucionet e tjera kompetente, me qëllim të identifikimit të aktiviteteve të paregjistruara, luftimit të ekonomisë joformale dhe garantimit të konkurrencës së drejtë ndërmjet bizneseve.
Formalizimi i veprimtarisë ekonomike dhe përmbushja e obligimeve tatimore janë detyrim ligjor për secilin që ushtron aktivitet ekonomik në Kosovë.



