‘GoFundMe’ për rastin e dyshuar për mashtrim: Kemi rimbursuar të gjithë donatorët
Platforma për mbledhjen e fondeve, “GoFundMe”, ua ka kthyer të gjitha paratë donatorëve, të cilat ishin mbledhur nga një shtetas i Kosovës, i cili, sipas autoriteteve në Kosovë, shtirej se ishte i sëmurë me leukemi akute.
E.A. ditë më parë është arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të mashtrimit dhe më 23 nëntor, Gjykata Themelore në Gjilan i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji. Sipas autoriteteve në Kosovë, përmes “GoFundMe”, ai ka mbledhur 162.522 euro.
Në një përgjigje për “Radio Evropa e Lirë”, “GoFundMe” ka thënë se ka zero tolerancë ndaj keqpërdorimit të kësaj platforme nga persona që tentojnë të shfrytëzojnë bujarinë e të tjerëve.
“Ekipi ynë identifikoi keqinterpretimin e fakteve, që bien ndesh me rregullat tona. Si rezultat i kësaj, fushata për mbledhjen e parave është mbyllur dhe të gjithë dhuruesit janë rimbursuar. Asnjë para nuk ka shkuar te organizatori”, ka thënë “GoFundMe”.
Në ueb-faqen e platformës thuhet se ajo garanton mbrojtjen e të gjitha donacioneve dhe, në rast se vëren se diçka nuk është në rregull, ua kthen të gjitha paratë dhuruesve.
Paratë e mbledhura, sipas platformës, mbrohen për një vit nga momenti i dhurimit të tyre.
Platforma thotë se rastet e mashtrimit janë të rralla. Por ekipet e saj të ekspertëve monitorojnë çdo keqpërdorim apo abuzim të rasteve të raportuara, duke u mundësuar njerëzve që, nëse kanë dyshime, t’i raportojnë ato.
Çfarë kanë thënë autoritetet në Kosovë për rastin?
Prokuroria Themelore në Gjilan pretendon se E.A. ka grumbulluar gjithsej 189.206,8 euro.
Pjesa më e madhe është mbledhur përmes “GoFundMe”, përkatësisht 162.522 euro, ndërkaq 26.684,8 euro janë mbledhur në qytetin e Gjilanit.
Ky institucion ka thënë se, pas pranimit të informacioneve për dyshime për mashtrim, ka reaguar menjëherë, duke bllokuar të gjitha paratë që gjendeshin në llogaritë e evidentuara për rastin dhe duke e arrestuar të dyshuarin mbrëmjen e 21 nëntorit.
Prokuroria pretendon se nga 9 nëntori deri më 21 nëntor, E.A., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, duke u paraqitur si i sëmurë me leukemi akute, ka prezantuar dokumentacion të rremë nga një spital në Stamboll të Turqisë, me arsyetimin se do t’i nënshtrohej trajtimit jashtë vendit për këtë sëmundje.
Ai më pas kishte hapur në “GoFundMe” një fushatë për mbledhjen e parave, ndërkaq në Gjilan, me ndihmën e familjarëve dhe personave të tjerë, kishte mbledhur para po ashtu.
I dyshuari gjithashtu kishte publikuar në rrjetet sociale video duke kërkuar ndihmë për shërimin e tij jashtë vendit, duke pretenduar se vuante nga sëmundja e leukemisë akute.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, nëse E.A. shpallet fajtor për këtë vepër penale, ai mund të dënohet me gjobë ose me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
“Radio Evropa e Lirë” e ka pyetur Prokurorinë Themelore në Gjilan se sa para janë bllokuar deri më tani në llogaritë bankare të të dyshuarit dhe si do të veprohet me këto mjete.
“REL”-i ka pyetur edhe nëse i dyshuari ka tërhequr, transferuar apo shpenzuar një pjesë të parave para bllokimit të llogarive, si dhe nëse donatorët kanë mundësi ligjore t’i marrin paratë mbrapsht dhe çfarë procedure duhet të ndjekin. Deri më tani, Prokuroria nuk ka kthyer përgjigje.



