Edi Rama merr pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka marrë pjesë këtë të mërkurë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, që po mbahet në Bruksel, nën drejtimin e presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa.
Samiti mbledh liderët e BE-së dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, me synim forcimin e partneritetit strategjik dhe avancimin e procesit të integrimit evropian të rajonit.
Në këtë samit merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka udhëtuar sot drejt Brukselit.
Në fokus të takimit janë perspektiva e anëtarësimit të vendeve të rajonit në BE, përparimi në reformat kyçe dhe përmbushja e kushteve të nevojshme në kuadër të procesit të integrimit.
Udhëheqësit pritet të vlerësojnë edhe progresin në integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, veçanërisht përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, si dhe mundësitë për avancimin e mëtejshëm të tij.
Diskutimet do të përfshijnë gjithashtu sfidat e përbashkëta, forcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së rajonit, në një mjedis gjithnjë e më kompleks gjeopolitik.
Samiti zhvillohet në kuadër të zbatimit të Agjendës Strategjike të Këshillit Evropian për periudhën 2024-2029.



