Sveçla në Tokio, diskutohen sfidat në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftimin e terrorizmit

25 nëntor 2026 | 17:05

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në kuadër të vizitës zyrtare në Japoni dhe në cilësinë e anëtarit të Bordit, ka marrë pjesë në Takimin e Nivelit të Lartë të Fondit Global për Angazhimin dhe Qëndrueshmërinë e Komuniteteve (GCERF), të mbajtur në Tokio.

Sipas njoftimit, gjatë këtij takimi, ministri Sveçla ka diskutuar për sfidat aktuale dhe angazhimet e përbashkëta në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftimin e terrorizmit.

Sveçla ka prezantuar progresin dhe rezultatet konkrete të Republikës së Kosovës në këtë fushë, duke veçuar kapacitetet e dëshmuara të institucioneve të sigurisë, zhvillimin e arkitekturës institucionale sipas modelit evropian, si dhe forcimin e mekanizmave parandalues.

“Republika e Kosovës përbën shembull për rajonin dhe më gjerë për punën e bërë në proceset e kthimit, rehabilitimit dhe riintegrimit të qytetarëve të kthyer nga zonat e konfliktit. Parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe luftimi i terrorizmit janë investim i drejtpërdrejtë në sigurinë dhe të ardhmen e shoqërisë sonë”, ka theksuar ministri Sveçla.

Ai gjithashtu ka vlerësuar lart partneritetin dhe mbështetjen e GCERF-it për Republikën e Kosovës, si dhe rolin e këtij mekanizmi si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe ndarjen e praktikave të mira.

Në përmbyllje, ai ka riafirmuar përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të vazhduar kontributin e vendit në përpjekjet rajonale dhe ndërkombëtare për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe ndërtimin e komuniteteve më të sigurta e më të qëndrueshme.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Superliga e Kosovës në futboll, do të vazhdoj në xhiron…