Kosova dhe Izmiri nënshkruajnë marrëveshje strategjike për bashkëpunim ekonomik dhe investime
Rreth 30 kompani kosovare pjesë e delegacionit në Izmir, ndërsa në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë mbi 500 pjesëmarrës. Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) dhe Komuna Metropolitane e Izmirit kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, me synim forcimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe nxitjen e investimeve të reja.

Marrëveshja u nënshkrua nga kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Prof. Dr. Besart Dreshaj, dhe kryetari i Komunës Metropolitane të Izmirit, Dr. Cemil Tugay. “Përmes kësaj marrëveshjeje synohet krijimi i mundësive të reja për partneritete strategjike ndërmjet bizneseve kosovare dhe atyre turke, si dhe zhvillimi i projekteve të përbashkëta në fusha të ndryshme ekonomike”, thuhet në njoftim!.
Në ceremoninë solemne morën pjesë përfaqësues të lartë institucionalë nga Kosova dhe Turqia, ndër ta ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, zëvendësministri i Ministrisë së Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Jeton Mehmetaj, si dhe konsulli i përgjithshëm i Kosovës në Stamboll, Dren Zeka. Të pranishëm ishin gjithashtu kryetarët e komunave Gazmend Muhaxheri dhe Ruzhdi Shehu, nënkryetari i Prishtinës, Florian Dushi, kryetari i Mamushës, Abdulhadi Krasniç, dhe nënkryetari i Prizrenit, Furkan Bytyqi. Një dimension të veçantë këtij aktiviteti i dha pjesëmarrja e delegacionit të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, i përbërë nga rreth 30 kompani kosovare. Në ceremoninë e nënshkrimit ishin të pranishëm mbi 500 pjesëmarrës, duke dëshmuar interesimin për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe institucional. Kryetari i LBK-së, Besart Dreshaj, e vlerësoi marrëveshjen si një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të partneritetit ekonomik Kosovë–Izmir. Ai theksoi gatishmërinë e bizneseve kosovare për të thelluar bashkëpunimin me partnerët turq, për të krijuar lidhje të qëndrueshme biznesore dhe për të kontribuar në zhvillimin ekonomik të të dyja palëve. Lidhja e Bizneseve të Kosovës u ka bërë thirrje kompanive nga të dyja vendet që ta shfrytëzojnë këtë marrëveshje për të identifikuar mundësi të reja tregtare, për të zhvilluar partneritete afatgjata dhe për të realizuar projekte të përbashkëta investuese. Marrëveshja Kosovë–Izmir synon të shërbejë si një urë e re bashkëpunimi ekonomik, duke hapur perspektiva për investime, shkëmbime tregtare dhe zhvillim të përbashkët.



