Si e njoh Bali Mahmutin

26 nëntor 2026 | 10:59

Ka njerëz që i njeh në një periudhë të caktuar të jetës, por që me fjalët, këshillat dhe veprat e tyre lënë gjurmë të pashlyeshme në rrugëtimin tënd. Një prej tyre, për mua, është axha Bali Mahmuti.

Ishte viti 1993. Në atë kohë isha student i Fakultetit Ekonomik, por krahas studimeve kisha edhe një dëshirë të madhe: të studioja edhe në Fakultetin Juridik. Këtë dëshirë ia shpreha bashkëvendësit tim, Bali Mahmutit, i cili më ndihmoi që në muajin tetor të atij viti të regjistrohesha edhe në këtë fakultet.

Në atë kohë, axha Bali punonte si sekretar i redaksisë së gazetës së përditshme “Bujku”. Zyrën e kishte në katin e dytë dhe unë, si shenjë respekti e konsiderate për të, shkoja pothuajse çdo ditë për ta takuar.

Të jem i sinqertë, përveç dëshirës që të kaloja kohë me të, në fillim ndihesha sikur po e lija pas dore nëse nuk shkoja çdo ditë. Madje, as që mendoja se vizitat e mia të shpeshta mund ta pengonin në punën e tij. Pas një kohe, ia bëra me dije se, përveç kënaqësisë që ndieja duke qëndruar me të, arsyeja e vizitave të mia të shpeshta ishte edhe respekti i veçantë që kisha për të.

Përgjigjja e tij më ka mbetur në kujtesë edhe sot e kësaj dite. Axha Bali më tha: “Ti mua më nderon nëse mëson dhe e përfundon fakultetin. Atëherë, përveç familjes sate, edhe unë do të jem krenar me ty.”

Nuk do t’i harroj kurrë as fjalët e tij inkurajuese, kur më thoshte se një ditë do ta shihnin hajrin tim dhe do të ma dëgjonin zërin për të mirë krejt Reka dhe Malësia e Gjakovës.

Unë vazhdova studimet, ndërsa takimet dhe bisedat me axhën Bali mbetën pjesë e përditshmërisë sime. Pastaj erdhi lufta. E lashë Prishtinën dhe iu bashkova Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas luftës dhe periudhës së burgut, u ktheva sërish në Prishtinë, ku rifilluan edhe takimet me axhën Bali.

Ndërkohë, edhe rrugëtimi i tij profesional kishte marrë një drejtim tjetër. Ai ishte larguar nga gazetaria dhe i ishte bashkuar sektorit të sigurimeve, fillimisht kompanisë “Dardania” e më pas kompanisë “Sigma”, ku dha një kontribut të jashtëzakonshëm, veçanërisht në fushën ligjore.

Lidhja ime me axhën Bali nuk është ndërtuar vetëm mbi prejardhjen tonë të përbashkët, si bashkëvendës, por edhe mbi besimin dhe përkatësinë tonë shpirtërore. Të dy jemi besimtarë të tarikatit Halvetije të Teqesë së Junikut. Kjo është edhe një lidhje tjetër që na afron dhe na mban pranë njëri-tjetrit. Edhe atëherë kur nuk kemi mundësi të takohemi për një kafe, komunikojmë përmes telefonit dhe interesohemi për njëri-tjetrin.

Sot, kur mosha e tij ka arritur kohën e pensionimit, axha Bali ka vendosur të përmbyllë një kapitull të rëndësishëm të angazhimit të tij në kompaninë e sigurimeve “Sigma”, së cilës i ka kushtuar shumë mund, përkushtim dhe profesionalizëm. Në muajin dhjetor ai do të pensionohet nga kjo kompani, por jo edhe nga angazhimi profesional. Përpara tij hapet një kapitull i ri: ushtrimi i profesionit të avokatit, një fushë që e njeh mirë dhe në të cilën zotëron përvojë e profesionalizëm të dëshmuar.

Duke i kujtuar të gjitha këto vite, nga ajo zyrë në katin e dytë të gazetës “Bujku” e deri te rrugëtimet tona të mëvonshme, e ndiej për obligim t’i shpreh mirënjohjen time të sinqertë.

Axha Bali, faleminderit për mbështetjen që ma dhe në fillim të rrugëtimit tim akademik, për këshillat, fjalët inkurajuese dhe respektin që ma ke dhuruar gjithmonë. Ndoshta për ty ato kanë qenë fjalë të zakonshme, por për mua kanë qenë shtysë dhe motivim që nuk harrohen.

Të uroj shëndet, jetë të gjatë dhe suksese në kapitullin e ri të jetës profesionale. Uroj që edhe në këtë rrugëtim të ri të avokatisë të kesh po aq suksese sa në të gjitha angazhimet e deritanishme.

Paç shëndetin, axha Bali Mahmuti!

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka…