Të fillojnë sa më shpejt punimet për ndërtimin e stadiumit kombëtar
Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka bërë me dije se në muajin mars do të fillojnë punimet për ndërtimin e stadiumit kombëtar, kurse analisti Genc Sermaxhaj mendon se këto punime duhet të fillojnë sa më shpejt që është e mundur dhe të ecin me ritëm të shpejtë për faktin se Kosovës i duhet një stadium me kapacitet të madh që përmbush kërkesat e të gjithë shikuesve që dëshirojnë ta përcjellin përfaqësuesen nga afër.
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, në intervistën për numrin festive të gazetës “Epoka e re”, ka folur për fillimin e ndërtimit të stadiumit kombëtar në Drenas. Numri një i futbollit të Kosovës ka bërë me dije se punimet për këtë stadium do të fillojnë në muajin mars dhe se ky stadium do të jetë ndër më të mirët në rajon. “Deri në muajin shkurt do të kryhen të gjitha procedurat e fizibilitetit dhe shpallja e tenderit dhe zgjedhja e fituesit se kush do ta punojë atë. Besoj në fjalët e ministrit të Sportit, se në mars do të fillojë ndërtimi i stadiumit kombëtar në Drenas, i cili do të jetë një nga stadiumet më të mirë në regjion”, ka thënë Ademi.
Lidhur me këtë çështje ka folur të hënën për gazetë edhe analisti i futbollit dhe dikur ish-lojtari i Përfaqësues së Kosovës, Genc Sermaxhaj. Ky i fundit ka thënë se është shumë e nevojshme që punimet për ndërtimin e stadiumit kombëtar të fillojnë sa më shpejt për faktin se në Kosovë në vitet e ardhshme do të vijnë kombëtare të mëdha dhe të gjithë kanë dëshirë t’i përcjellin nga afër ndeshjet e futbollistëve të Kosovës ndaj yjeve botërorë.
“Pa dyshim se Kosovës i nevojitet stadiumi ku përfaqësuesja i zhvillon ndeshjet dhe pa dyshim se kapaciteti i tij duhet të jetë i madh që përmbush standardet që kërkohen dhe kjo do të krijojë vende të mjaftueshme për të gjithë ata që dëshirojnë ta përcjellin përfaqësuesen nga afër. Është me rëndësi që punimet për ndërtimin e këtij stadiumi të fillojnë sa më parë dhe punimet të zhvillohen me ritëm të shpejtë, pasi Kosova ka ngritje të madhe në cilësi dhe të gjithë po dëshirojnë t’i përcjellin ndeshjet e saj. Me ndërtimin e këtij stadiumi nuk do të ketë tollovi për bileta. Në Kosovë do të vijnë kombëtare të mëdha dhe shikuesit do të dëshirojnë të jenë afër për t’i parë paraqitjet e yjeve botërore, prandaj ky stadium është i domosdoshëm”, ka thënë Sermaxhaj për gazetën “Epoka e re”.
Përfaqësuesja e Kosovës eliminatoret për Kupën e Botës “Rusi 2018” i ka zhvilluar në stadiumin “Loro Boriqi” në Shkodër, kurse ndeshjet në kuadër të Ligës së Kombeve në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, por nga ndeshja në ndeshje interesimi i shikuesve ishte i madh për t’i përcjellë nga afër futbollistët “Dardanët”, por shumë prej shikuesve nuk kishin rastin të sigurojnë biletat për të hyrë në stadium. Kjo ndodhi pasi numri i biletave nuk ishte i mjaftueshëm karshi kërkesave, kurse biletat gjithashtu në të shumtën e rasteve u keqpërdorën dhe u shitën me çmim të shumëfishuar në treguan e zi.
/Veton ZYMBERI/



