Ministri Bytyqi dhe ambasadori Kosnett lansuan programin “Junior Geeks”
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, së bashku me ambasadorin e ShBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, kanë marrë pjesë të enjten në ceremoninë e lansimit të programit “Junior Geeks”, e cila është një platformë gjithëpërfshirëse për nxënës të shkollave të mesme për të diskutuar, hulumtuar dhe mësuar teknologjinë, ndërmarrësinë, shkencën dhe inovacionin.
Me këtë rast, ministri Bytyqi ka përgëzuar bursistët nga Kosova, të cilët kanë arritur që me angazhimin dhe kreativitetin e tyre, në konkurrencë të madhe nga mbarë bota, të përfitojnë mbështetje financiare për zhvillimin e këtij programi në shkollat e Kosovës.
“Ne e kemi pasurinë më të madhe rininë dhe kësaj rinie të mrekullueshme i duhet që t’ua krijojmë mundësitë dhe kushtet sepse talentin e kanë, që e tregon edhe ky rezultat i arritur”, ka thënë ministri Bytyqi dhe për këtë ka falënderuar ShBA-të dhe të gjithë partnerët që kanë qenë dhe vazhdojnë të mbështesin arsimin, por edhe çdo sektor tjetër të rëndësishëm në funksion të zhvillimit tonë si shtet dhe si shoqëri.
Ministri Bytyqi ka përmendur shumë angazhime të MAShT-it që lidhen me fushat në të cilat është i fokusuar ky projekt, ndërsa ka theksuar se Ministria e Arsimit do të jetë gjithmonë e gatshme të mbështesë zhvillimin e programeve nga të cilat përfitojnë të rinjtë tanë.
Ministri Bytyqi u shpreh tejet i lumtur që programi “Junior Geeks”, është njëri nga 70 projektet fituese nga mbarë bota (i vetmi nga Evropa Juglindore), i cili ka fituar mbështetje financiar nga Fondi i Bursistëve për Inovacion i Departamentit Amerikan të Shtetit, nëpërmjet Ambasadës Amerikane në Prishtinë dhe Qendrës Inovative të Kosovës.
Programi do të zhvillohet në shkollat e mesme të tri komunave të Kosovës (Prishtinë, Pejë dhe Mitrovicë), me mundësi të zgjerimit edhe në shkolla të komunave të tjera.
/Epoka e re/