Ministrja shqiptare e Mbrojtjes vizitë në ShBA, takon shefin e Pentagonit

19 prill 2019 | 11:40

Ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Pentagon, ku është pritur në takim nga sekretari i Mbrojtjes në detyrë, Patrick Shanahan.

Ajo e ka cilësuar ShBA-në një mik të madh dhe aleat të popullit shqiptar. Xhaçka ka thënë se fati i rajonit të Ballkanit do të kishte qenë ndryshe pa mbështetjen e aleatit strategjik, ShBA-së.

Gjatë bisedës me shefin e Pentagonit, ministrja Xhaçka ka folur për reformat kryesore për të ndërtuar institucione më të forta demokratike dhe për të forcuar sundimin e ligjit në Shqipëri.

Ajo ka përmendur edhe ngritjen e bazës ushtarake në Kuçovë, që do të jetë e para bazë ajrore e NATO-s në rajon.

“Ky zhvillim e njeh rolin e Shqipërisë si një spirancë e stabilitetit në rajon dhe rrit rëndësinë tonë strategjike për Aleancën në tërësi”, ka thënë ministrja Xhaçka.

Për sekretarin amerikan të Mbrojtjes Shanahan, Shqipëria është një partner i fortë, derisa ka nënvizuar ndër të tjera angazhimin e shtetit shqiptar në misionet paqeruajtëse si dhe objektivin e qeverisë shqiptare për t’i dedikuar mbrojtjes 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes do të ndihmojë modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare, veçanërisht të Forcës Ajrore, edhe përmes disa helikopterëve “Black Hawk”.

Siç shkruan “Abcnews”, marrëveshja e arritur, gjithashtu parashikon edhe mirëmbajtjen e këtyre mjeteve si dhe trajnim të vazhdueshëm të pilotëve dhe teknikëve shqiptarë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti amerikan, Donald Trump ka konfirmuar sot se ndërhyrja e…